Zyrtare: Bastoni nënshkruan kontratë afatgjate me Interin
Interi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me yllin e mbrojtjes, Alessandro Bastoni, për zgjatjen e kontratës deri në verën e vitit 2028, pra kontratë pesëvjeçare.
“FC Internazionale Milano mund të njoftojë se ka arritur një marrëveshje me Alessandro Bastoni për të zgjatur qëndrimin e tij në klub”, thuhet në një deklaratë zyrtare nga zikaltrit.
— Inter (@Inter_en) July 5, 2023
Mbrojtësi 24-vjeçar ka zgjatur kontratën, që do të thotë se do vazhdojë të paraqitet për Interin deri në vitin 2028, duke qenë pikë kyçe e skuadrës, siç ka qenë në këto vitet e fundit.
Bastoni ka shënuar katër gola në 164 paraqitje me zikaltrit. Ai iu bashkua klubit në vitin 2019 nga Atalanta për 30 milionë euro.

Ai ishte lidhur më parë me Tottenhamin dhe Manchester Cityn, por prioriteti i tij ka qenë gjithmonë vazhdimi i qëndrimit te Interi, pasi është një tifoz i kamotshëm i skuadrës, që nga fëmijëria.
Marrëveshja e tij e mëparshme në Stadio Meazza do të skadonte në qershor të vitit 2024 dhe kjo ishte prioritet për Interin, që nuk dëshironte ta linte një nga lojtarët më me perspektivë të largohej, ashtu siç iu iku nga dora Milan Skriniar këtë afat kalimtar veror.