Ylli i Tottenhamit: Ndiej përgjegjësi për shkarkimin e Antonio Contes
Sulmuesi i Tottenhamit, Son Heung-Min, ka thënë se ndjeu keqardhje kur e kuptoi lajmin se trajneri Antonio Conte të largohej nga klubi dhe ndihet përgjegjës për shkarkimin e tij, pasi nuk arriti të përsërisë formën e tij të shkëlqyer nga sezoni i kaluar.
Son, 30 vjeç, u zgjodh golashënuesi më i mirë në Premierligë sezonin e kaluar me 23 gola, duke i ndihmuar klubit londinez të përfundonte në vendin e katërt nën udhëheqjen e Contes, por lojtari i Koresë së Jugut ka shënuar vetëm gjashtë gola në ligë deri më tani këtë sezon.
Tottenhami ndau rrugët me Conte të dielën, pasi ai i cilësoi lojtarët e tij si egoistë, me mungesë shpirti ekipor dhe të paaftë për të luajtur nën presion në një konferencë të jashtëzakonshme për media, pas barazimit 3:3 në Southampton.
“Si lojtar, më vjen shumë keq. Ai është një trajner i klasit botëror dhe kemi pasur një aventurë të mirë së bashku”, tha Son pas humbjes 2:1 në ndeshjen miqësore të Koresë së Jugut ndaj Uruguait të martën.

“Duhej të kisha luajtur më mirë. Ndihem përgjegjës për largimin e tij, sepse nuk kam ndihmuar shumë klubin. Unë jam mirënjohës për atë që ai ka bërë, ai është një trajner i madh dhe ka shumë përvojë. Unë do ta mbështes atë”, shtoi ai.
Tottenham është eliminuar nga garat e kupave vendore si dhe nga Liga e Kampionëve. Ata janë në vendin e katërt në Premierligë me 49 pikë nga 28 ndeshje dhe ndeshjen e radhës përballen me Evertonin më 3 prill./Orselina Lazraj/
