WIMBLEDON: Alcaraz vazhdon sigurt drejt finales duke mposhtur Jarryn, Tsitsipas e mposht serbin Djere
Carlos Alcaraz po vazhdon me paraqitjet e mira në Wimbledon, ku tani ka fituar në 1/16 e finales ndaj Nicolas Jarryt të Kilit 3:1 në sete, në anën tjetër numri pesë i botës Tsitsipas e ka mposhtur lehtësisht serbin Djere 3:0. Fitore sot ka shënuar edhe Rune e Medvedev, me favoritët që nuk kanë dëshpëruar në këtë fazë të garës.
Numri një i botës Alcaraz edhe pse pati punë të vështirë ndaj kilianit Jarry, ai arriti të fitonte 3:1 apo 6:3, 6:7, 6:3 dhe 7:5, për të kaluar në 1/8 e finales, aty ku do të takohet me italianin Berrettini, i cili e mposhti Zverevin 3:0 në sete.

Stefanos Tsitsipas në anën tjetër e ka shkatërruar serbin Laslo Djere 3:0 në sete apo 6:4, 7:6 dhe 6:4 dhe do të ketë punë në 1/8 me Eubanks të Amerikës.

Holger Rune fitoi me shumë vështirësi ndaj Davidovich Fokina, duke shënuar fitore vetëm në setin e pestë, 3:2, ndërsa kundërshtari i tij për ndeshjen e radhës ende nuk është kuptuar pasi ndeshja mes Tiafoe dhe Dimitrov është ndërprerë.

Fitore në ditën e sotme që ishte dita e favoritëve shënoi edhe rusi Medvedev, që është numri tre i botës, duke mposhtur Fucsovics 3:1 në sete dhe do të ketë punë me Leheckan në 1/8 e finales.

Nesër do të fillojë faza e 1/8 së finales, ku edhe do të luajë kampioni në fuqi në katër edicionet e fundit të Wimbledonit, Djokovic, që përball e ka polakun Hurkacz, që është i 18-të në botë.