Trepça ’89 njofton se për herë të tretë është thyer stadiumi "Riza Lushta", u vodhën gjësende të vlefshme
Trepça ’89 me anë të një reagimi publik ka njoftuar se për herë të tretë brenda katër ditësh janë vjedhur gjëra të vlefshme brenda klubit nga persona të pandërgjegjshëm.
“Minatorët” kanë qenë cak i personave të papërgjegjshëm gjatë këtyre ditëve. Trepça ’89 këtë mëngjes deklaroi se brenda katër ditëve për tri herë radhazi janë thyer hyrjet e stadiumit “Riza Lushta”, me ç’rast personat e pandërgjegjshëm vodhën edhe gjësende me vlerë.
“Klubi Futbollistik Trepça’89 njofton se sot është hera e tretë brenda katër ditëve që persona të pandërgjegjshëm - kanë thyer hyrjet e Stadiumit dhe kanë grabitur gjësende të vlefshme të Klubit (pajisje elektronike të ndryshme, makineri për rregullimin e fushës etj...)”, thuhet në fillim të komunikatës.
Në vazhdim të komunikatës klubi mitrovicas shprehi keqardhje që ngjarje të tilla të turpshme po përsëritën. Zyrtarët e klubit u bënë thirrje edhe organeve të rendit dhe sigurisë që ta marrin më seriozisht këtë që po ndodh.
“Këto raste janë të paarsyeshme dhe sidomos në një klub sportiv. Kjo është edhe për arsye të kushteve shumë të dobëta të stadiumit “Riza Lushta” ku vrimat për të hyrë në Stadium janë të panumërta. I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të merren sa më seriozisht dhe t’i ndalojnë këto raste”, thuhet në fund të njoftimit.
Trepçës ’89 komunikoi edhe në të kaluarën ka qenë viktimë e vjedhjeve të ndryshme që janë bërë në hapësira të jashtme dhe të brendshme të klubit.
Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Idrizi sot rikthehet në aksion në Kupën e Kosovës, kur me fillim në ora 13:00 do të luajë në udhëtim kundër Feronikelit.
