Trajneri i Napolit: Do të shkoj në shtëpi midis ndeshjes, nëse tifozët s’na mbështesin kundër Milanit - NACIONALE

Trajneri i Napolit: Do të shkoj në shtëpi midis ndeshjes, nëse tifozët s’na mbështesin kundër Milanit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, është zotuar se do ta braktisë stolin dhe do të shkojë në shtëpi, nëse tifozët nuk e mbështesin skuadrën në ndeshjen e kthimit çerekfinale kundër Milanit javën e ardhshme.

Trajneri veteran foli pasi ekipi i tij pësoi disfatë 1:0 në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve në San Siro të martën.

Derisa i qau rastet e humbura dhe përjashtimin e Andre-Frank Zambo Anguissa me karton të kuq në San Siro, Spalletti gjithashtu iu dërgoi një mesazh tifozëve që t’i linin mënjanë ankesat e tyre ndaj klubit dhe të krijonin një atmosferë të madhe gjatë ndeshjes së kthimit javën e ardhshme në stadiumin Diego Armando Maradona.

Nuk jam i sigurt se çfarë atmosfere të pres javën tjetër, më erdh keq që e pashë stadiumin ashtu ndaj Milanit. Ne po fitojmë kampionatin pas 33 vitesh, po luanim një lojë të rëndësishme dhe të shohësh të gjithë kundër të gjithëve është diçka që nuk do ta kuptoj kurrë dhe që do ta mbaj gjithmonë me vete”, tha Spalletti pas ndeshjes.

Ai shtoi: “Nëse e njëjta gjë ndodh në ndeshjen e kthimit unë do ta braktis stolin dhe do të shkoj në shtëpi. Sepse është një gjë e pashpjegueshme, djemtë janë të ndjeshëm ndaj asaj që ndodh rreth tyre dhe kundër Milanit kemi luajtur në një atmosferë absurde”.

Pavarësisht sezonit mahnitës të Napolit, ata kanë pasur një situatë pakënaqësie mes një pjese të tifozëve dhe presidentit Aurelio De Laurentiis, e cila filloi me një protestë për çmimet e biletave në ndeshjen e tyre të fundit në shtëpi kundër Milanit. Kuqezinjtë dolën me një fitore 4:0 të luajtur në një atmosferë të çuditshme ku shumë tifozë protestuan duke parë ndeshjen në heshtje dhe disa me shpinën e kthyer nga fusha.

Napoli do të vazhdojë rrugëtimin drejt titullit historik këtë fundjavë ndaj Veronës, por me një avantazh prej 16 pikësh ata mund ta përqendrojnë mendjen në ndeshjen e kthimit kundër Milanit në kuadër të Ligës së Kampionëve të martën mbrëma, përballë asaj që Spalletti shpreson se do të jetë një natë sfiduese dhe emocionuese në stadiumin Diego Armando Maradona.

Gjithashtu ekipi i Spallettit shpreson që Victor Osimhen të rikthehet në ekip./Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme