Trajneri i Getafes: Muriqi nuk është vështirë të mbulohet kur mbahet i izoluar larg portës - NACIONALE

Trajneri i Getafes: Muriqi nuk është vështirë të mbulohet kur mbahet i izoluar larg portës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, Getafe shënoi fitore 2:0 kundër Mallorcas. Trajneri i ekipit vendës, Quique Sánchez Flores, mendon se çelësi i fitores ishte edhe mbajtja larg portës e Vedat Muriqit.

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, nuk shkëlqeu në sfidën e sotme, duke mos pasur edhe shumë hapësira manovruese.

Pikërisht në këtë kontekst edhe trajneri i Getafes ia njohi meritat ekipit të tij, duke thënë se një element tejet i rëndësishëm ka qenë që të mbahej jashtë zonës së 16-metërshit sulmuesi 28-vjeç dardan.

“Kemi pasur durim dhe në pjesën e dytë goli i shënuar na bëri gjërat më pak të ndërlikuara. Kemi neutralizuar Muriqin mirë, duke e mbajtur larg zonës së portës dhe që atëherë gjërat shkuan drejt një përfundimi të mirë”, shtoi Flores.

Sipas tij Muriqi nuk është vështirë të mbulohet nëse luan 40 metra larg portës, pasi bëhet më i parashikueshëm në lojën e tij.

“Ta mbulosh në zonë Muriqin është shumë më ndryshe sesa ta bësh kur ai qëndron 40 metra larg zonës së portës”, deklari trajneri i Getafes.

Në fakt, 28-vjeçari ka pasur shumë pak kontakt me topin në zonë të rrezikshme. Ai në 38 herë sa ka prekur topin në këtë ndeshje nuk ka arritur fare që të jetë produktiv.

Getafe ishte më bindëse si skuadër në lojën e saj dhe me meritë iu gëzua fitores. Kështu Mallorca dhe Muriqi mbyllën vitin 2022 me humbje, edhe pse ky vit ka qenë një storie suksesi për të dy palët.

Kujtojmë se Muriqi mban edhe pozitën e dytë në listën e golashënuesve më të mirë në La Liga me 8 gola të shënuar. I pari në këtë renditje është ylli i Barcelonës, Lewandowski, që ka shënuar 13 gola.

Ndeshja e radhës për Mallorcan do të jetë në vitin e ri kalendarik 2023. Një vit i ri që do të nisë me ndeshjen në Kupën e Mretit, më saktësisht në 1/16 e finales, kur do të ndeshet në udhëtim kundër Pontevedra.

Lajme të ngjashme