Tottenhami ua kthen paratë e biletave tifozëve që ishin në ndeshjen e humbur turpshëm nga Newcastle
Lojtarët e Tottenhamit janë zotuar se do t’ua kthejnë paratë tifozëve të vet që udhëtuan për ta përjetuar një disfatë të turpshme 6:1 kundër Newcastle Unitedit të dielën, e cila për pasojë e pati edhe shkarkimin e trajnerit të përkohshëm Cristian Stellini një ditë pas.
Pasi Stellini papritmas e nisi ndeshjen me një vijë mbrojtëse me katër veta, vendasit e shkatërruan skuadrën e tij brenda 21 minutave të parë, duke ia shënuar hiç më pak se pesë gola, për epërsinë 5:0.
Në një komunikatë për media, lojtarët e Tottenhamit thanë: “Si ekip, ne e kuptojmë zemërimin dhe mllefin tuaj. Ne e dimë se fjalët nuk mjaftojnë në gjendje si kjo, por na besoni, një disfatë si kjo dhemb”.
“Ne e çmojmë përkrahjen tuaj, në shtëpi dhe në udhëtim, dhe duke e pasur këtë në mendje, ne duam t’i rimbursojmë tifozët me çmimin e biletave të ndeshjes në St James’ Park. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo nuk e ndryshon atë që ndodhi të dielën dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’i rregulluar gjërat në ndeshjen kundër Manchester Unitedit të enjten kur, përsëri, përkrahja juaj do të thotë gjithçka për ne. Së bashku, dhe vetëm së bashku, ne mund të ecim përpara”.
Stellini është zëvendësuar nga një trajner tjetër i përkohshëm, Ryan Mason, e cili të hënën u emërua deri në fund të sezonit.
