Superliga e Kosovës: Ballkani e nis mbrojtjen e titullit me fitore në udhëtim te Liria, Drita me fitore komode ndaj Llapit - NACIONALE

Superliga e Kosovës: Ballkani e nis mbrojtjen e titullit me fitore në udhëtim te Liria, Drita me fitore komode ndaj Llapit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar java e parë e Superligës së Kosovës me dy ndeshjet që u zhvilluat sot. Kampioni i Kosovës Ballkani e ka nisur në mënyrë të mirë mbrojtjen e titullit me fitoren 1:0 në udhëtim te skuadra e promovuar këtë sezon Liria, ndërsa Drita ka fituar derbin ndaj Llapit me rezultat 2:0.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara dje ku Prishtina e mposhti 3:1 Feronikelin 74 dhe Malisheva trifumfoi 1:0 ndaj Dukagjinit, janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e mbetura për sot, me të vetmen ndeshje që nuk u zhvillua mes Fushë Kosovës e Gjilanit, për shkak se FFK e shtyu pas problemeve organizative që po përballet skuadra e Gjilanit që kur ka mbetur pa pronarë.

Liria – Ballkani

Ballkani e ka vazhduar aty ku e ka lënë, duke filluar sezonin e ri me fitore, në tentim për ta mbrojtur titullin kampion sërish.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin Përparim Thaçi në Prizren, me një atmosferë shumë të mirë në tribuna, që ishin përplot me tifozë, e rrallë për futbollin kosovar një pamje e tillë.

Në pjesën e parë të ndeshjes nuk pati asnjë gol të realizuar, me dy skuadrat që patën rastet e tyre të mira, me Lirinë që tentoi dy herë në minutat shtesë por Enea Koliçi ishte në vend për të mohuar golin prizrenasve.

Ballkani gjeti golin e vetëm në ndeshje vetëm në minutën e 65-të, kur shënoi Nazmi Gripshi me asistimin e Arbër Potokut për 1:0.

Kështu Ballkani e nis mirë sezonin e ri dhe tani vëmendja e tyre kthehet te ndeshja e kthimit në kualifikimet për Ligë të Konferencës, ku do të udhëtojë në Gjibraltar, pasi ndeshjen e parë e fitoi me rezultat 2:0 ndaj Lincoln Red Imps.

Drita – Llapi

Kryendeshja e javës së parë padyshim se ishte ajo në mes të Dritës e Llapit e zhvilluar në Stadiumin e qytetit në Gjilan, e cila përfundoi me fitoren e nënkampionit me rezultat 2:0.

Njëjtë si ndeshja tjetër, edhe këtu në 45 minutat e para nuk pati gola të shënuar, me një futboll vërtetë të varfër në pjesën më të madhe të kohës.

Pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe, me ‘Intelektualët’ që filluan të intensifikojnë sulmet dhe kjo u shpërblye.

Ishte sulmuesi Blerim Krasniqi që gjeti golin për 1:0 në minutën e 60-të, pasi u asistua nga Besnik Krasniqi.

Golin për rezultatin përfundimtar 2:0 e shënoi Albin Prapashtica në minutën e 77-të, me Dritën që mori tre pikët e para.

Lajme të ngjashme