Sot zhvillohen pesë ndeshje në Superligën e Kosovës, vëmendja në Suharekë dhe Gjilan - NACIONALE

Sot zhvillohen pesë ndeshje në Superligën e Kosovës, vëmendja në Suharekë dhe Gjilan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë kemi hyrë në fazën e fundit të Superligës së Kosovës në futboll, aty ku ndeshjet zhvillohen në orarin e njëjtë dhe të gjitha në një ditë të vetme. Pra, sot zhvillohen të pesë ndeshjet e kampionatit, ku vëmendja patjetër se do të jetë në ndeshjet Ballkani – Llapi dhe Gjilani – Drita.

Drita e Ballkani prijnë në renditjen tabelore me pikë të barabarta, 66 respektivisht në 33 ndeshje të zhvilluara deri më tani, teksa duke llogaritur ndeshjet e sotme, deri në përfundim kanë mbetur edhe tri ndeshje për secilën skuadër.

Përveç Ballkani – Llapi dhe Gjilani – Drita, tri ndeshjet tjera që zhvillohen janë edhe: Drenica – Dukagjini, Ferizaj – Trepça’89 dhe Malisheva – Prishtina.

Tashmë Drenica ka rënë edhe matematikisht nga Superliga e Kosovës, që është hera e parë në histori të këtij klubi dhe pritet të jetë ndeshje e lehtë për klinasit që udhëtojnë në Skenderaj, teksa në Ferizaj do të zhvillohet derbi i skuadrave që pretendojnë mbijetesën.

Ndeshja kryesore e javës do të jetë derbi i Anamoravës, mes Gjilanit e Dritës, me rivalitetin e njohur mes këtyre dy skuadrave, por tani të dy skuadrat kanë nevojë për rezultate. Skifterët me fitore sigurojnë pozitën e tretë që çon në gara evropiane, ndërsa Intelektualët në anën tjetër me tri pikë vazhdojnë ta kryesojnë tabelën.

Ballkani në anën tjetër nuk i tolerohet asnjë gabim ndaj Llapit, nëse dëshiron ta mbrojë titullin kampion dhe të presë çdo dështim të mundshëm të Dritës.

Ndeshja e fundit, por jo nga rëndësia është ajo mes Malishevës e Prishtinës, me vendasit që synojnë të mbesin jashtë zonës së rënies, teksa kryeqytetasit po luftojnë me çdo kusht për një vend në garat evropiane, pavarësisht se tani gjasat janë minimale.

Të gjitha, pesë ndeshjet, zhvillohen sot me fillim nga ora 15:00, ashtu edhe si dy xhirot e ardhshme, që do të zhvillohen në orar të njëjtë.

Lajme të ngjashme