Shkupi - Ballkani: Analizë, statistikë dhe vlerat e dy skuadrave - NACIONALE

Shkupi - Ballkani: Analizë, statistikë dhe vlerat e dy skuadrave

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditën e enjte do të zhvillohet ndeshja e parë mes FC Shkupit dhe FC Ballkanit, e vlefshme për raundin e play-off në Ligën e Konferencës.

Dy skuadrat kanë bërë një arritje të madhe duke mbërritur deri në raundin e play-off, e njëra prej tyre do ta prekë edhe fazën grupore.

Më poshtë mund të lexoni disa detaje në rast që dëshironi të dini më shumë rreth dy klubeve.

Vlerat e dy skuadrave: Shkupi më i shtrenjtë se Ballkani

Nëse shohim vlerat në "Transfermarkt", atëherë Shkupi ka një përparësi mbi Ballkanin.

Sipas këtyre të dhënave, skuadra nga Maqedonia e Veriut vlen 5.62 milionë euro, për dallim nga Ballkani që kushton 3.90 milionë euro.

Futbollistët më të shtrenjtë te Shkupi janë qendërsulmuesi Sunday Adetunji dhe mesfushori sulmues Freddy Alvarez, kartoni i të cilëve kushton hiq më pak se 800 mijë euro.

Ndërkohë, te kampioni i Kosovës më i shtrenjti është sulmuesi i krahut Ermal Krasniqi me 350 mijë euro ndjekur nga mbrojtësi Armend Thaqi dhe mesfushori Edvin Kuc me nga 300 mijë euro.

Dy skuadrat preferojnë lojë ofensive

Si Shkupi ashtu edhe Ballkani, të dy skuadrat preferojnë një lojë ofensive. Vendasit shpesh herë luajnë me formacionin bazë 4-2-3-1, derisa Ilir Daja vazhdon të jetë më klasik me 4-3-3 e që ndryshohet në 4-4-2 zakonisht gjatë pjesës së dytë.

Sic e kemi parë në ndeshjet e fundit ndaj Shamrock Rovers ose edhe kundër Dinamo Zagreb, trajneri Goce Sedloski preferon ndërtimin e aksioneve në mesfushë ku fokusi mbetet që topi i fundit të shkojë te Adetunji.

Ndërsa, "Xhebrailat" luajnë më shumë në krahë te Krasniqi ose provojnë përmes kundërzbritjeve me Thaqin që shpesh herë gjuan disa harkime të shkëlqyeshme.

Një përparësi për Ballkanin, Shkupi nuk di për fitore si vendas në Evropë

Ballkani ndoshta sonte do ta ketë edhe një tjetër përparësi, pasi që Shkupi në ndeshjet e fundit që zhvilloi në Evropë nuk di për fitore në sfidat si vendas.

Shkupi nxori një barazim nga Dinamo Zagreb si mysafir, por pastaj u mposht në shtëpi. Njëjtë pësoi edhe nga Shamrock Rivers që humbën si vendas.

Në ndeshjen e fundit ata fituan ndaj Makedonija GP, por kjo ishte në kampionat për Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa, Ballkani ka marrë disa fitore të mëdha si mysafir në Evropë siç ishte kundër La Fiorita (0:4), ose edhe ndaj Klaksvik ku i eliminoi në penallti (3:4), e mbetet tani të shihet nëse do ta vazhdojnë me këto rezultate pozitive.

Për fund kujtojmë se përballja do të nis në ora 21:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Toshe Proeski”.

Lajme të ngjashme