Shahu në Kenia: Një burrë u maskua për të garuar si grua
Një veprim i një shahisti kenian aq sa ishte qesharak ishte edhe i guximshëm. 25-vjeçari u maskua me veshje të njohur si ‘Burka’ për të garuar si grua në turneun e hapur të shahut për gra në vendin e tij.
I mbuluar nga koka deri te këmbët me burka si dhe syze, Stanley Omondi, e kishte regjistruar veten e tij si Millicent Awour.

Lëvizja e tij e guximshme u ekspozua nga organizatorët, pasi këta të fundit fillimisht dyshuan nga suksesi i një lojtari të panjohur.
Për ta mbrojtur veten e tij, ai shkroi një letër kërkim faljeje, ku ndër të tjera tha se e kishte bërë se kishte nevojë për para dhe se është i gatshëm të pranojë të gjitha pasojat që vijnë nga ky veprim i tij.
Presidenti i Shahut në Kenia, Bernard Wanjala, tha se lojtari ka të ngjarë që të marrë një ndalim prej disa vitesh, por siguroi se ai nuk do të përjashtohej përgjithmonë nga shahu.
“Në fillim nuk kishim asnjë dyshim, pasi hixhabi është krejtësisht normale. Por gjatë rrugës, ne vumë se ai po fitonte ndaj lojtareve shumë të forta dhe nuk kishte gjasa që një person i panjohur që nuk ka luajtur kurrë turne të ishte aq i/e fortë.”
Këpucët dhe fakti që nuk fliste shtoi shqetësimin te organizatorët
“Një shenjë që ngriti shqetësimin tonë ishte se ai kishte veshur këpucë të burrave e jo të grave. Gjithashtu e vumë re se ai nuk fliste në asnjë rast. Zakonisht kur luani, i flisni kundërshtarit, sepse të luash shah nuk është një luftë por më shumë mes miqsh.”
Pavarësisht se dyshonin, zyrtarët e lejuan atë të vazhdonte, nga frika se mund të akuzoheshin për profilizimin për shkak të veshjes fetare, dhe e larguan lojtarin vetëm në raundin e katërt.
“Kur ai avancoi në raundin e katërt, pasi fitoi një ndeshje shumë të fortë, ne e thirrëm dhe ai nuk u befasua aspak. Ai e pranoi menjëherë se në të vërtetë ishte një burrë. Atij i vinte keq për atë që ka ndodhur dhe kërkoi falje, gjithashtu na tregoi se këtë e bëri pasi kishte vështirësi financiare, ku me fitimin e titullit do t’i kapërcente këto vështirësi.”

Kenia Open, i cili u mbajt javën e kaluar, është një konkurs vjetor i bazuar në kryeqytetin kenian, Nairobi.
Edicioni i këtij viti tërhoqi mbi 400 lojtarë nga 22 vende. Nëntëdhjetë e nëntë u regjistruan në kategorinë e grave ku fituesja do të merrte në shtëpi mbi 3,000 dollarë (2,400 £).
Omondi është një shahist i njohur, por Wanjala beson se mendonte se shanset e tij do të ishin më të mira në kategorinë e grave duke pasur parasysh standardin më të lartë të lojës në kategorinë e burrave të turneut.
Ndërsa federata e shahut të Kenias është marrë me rastet e mashtrimit të moshës më parë, ky lloj mashtrimi është i pari i këtij lloji.
Rasti i është referuar komisionit disiplinor i cili pritet të marrë vendim në ditët në vijim.
"Është një rast ekstrem, vendimi mund të përfshijë një ndalim. Unë përjashtoj një ndalim të përjetshëm, por atij mund t'i jepet një ndalim disa vjeçar nga të luajturit shah. Çështja do t'i referohet gjithashtu Federatës Ndërkombëtare," shpjegoi Wanjala.