Seedorf: Në futbollin e sotëm ka shumë djem e pak burra
Clarence Seedorf gjatë një interviste dhënë për “Gazzetta Dello Sport” ka bërë një krahasim që sipas tij flet shumë për futbollin e sotëm, ku ka shumë pak burra – duke vurë theksin këtu edhe te mungesa e lidershipit te Juventus.
Ish-mesfushori i spikatur holandez, Seedorf, vijon të jetë një pikë referimi kur flitet për analiza dhe shtjellim të zhvillimeve të ndryshme në futbollin modern.
Ish-përfaqësuesi holandez e ka thënë mendimin e tij edhe sa i përket formës që po kalon Juventusi dhe reformimin që po e shënon, qoftë në aspektin administrativ të klubit apo në ripërtërirjen e ekipit me lojtarë të rinj.
“Në futbollin e sotëm ka shumë djem e pak burra. Juventusi nëse ka burra brenda zhveshtores ose nëse trajneri do të jetë i aftë që t’i bëjë të tillë, mund t’i rezistojë çdo shkundje (duke iu referuar zhvillimeve të fundit me hetimet e Prokurorisë). Përkundrazi, gjithë kjo mund të shndërrohet në një motivim”, tha ai për “Gazzetta Dello Sport”.

Për momentin është 10 pikë distanca mes Juventusit dhe Napolin që ruan kreun e tabelës. Pauza për Kupën e Botës e gjeti “Zonjën e Vjetër” në rritje, pasi regjistroi një seri të mirë prej 6 fitoresh radhazi, duke u pozicionuar kështu në vendin e tretë tabelor.
Ndeshjen e parë të vitit kalendarik 2023 Juventusi do ta zhvillojë kundër Cremonese në udhëtim, të mërkurën (4 janar) me fillim në ora 18:30.
Mbetet për t’u parë se sa shumë do të afektojnë në formën e ekipit të gjithë ngjarjet që po ndodhin jashtë fushës, e që kanë të bëjnë me hetimet e Prokurorisë së Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), si dhe të asaj të Torinos – ku klubi dyshohet se ka manipuluar me deklarimin e bilancit vjetor, si dhe me pagat e futbollistëve në vitin 2020.
