Romania mbetet pa yllin kryesor të kombëtares kundër Kosovës - NACIONALE

Romania mbetet pa yllin kryesor të kombëtares kundër Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Romania nuk do të mundë të llogarisë në lojtarin kryesor të ekipit kombëtar në përballje me Kosovën muajin e ardhshëm në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024.

Razvan Marin u lëndua gjatë një seance stërvitore me skuadrën e vet Empoli dhe si pasojë do të mungojë rreth një muaj e gjysmë, sipas mediave rumune.

Në rrethin e dytë të Grupit I kualifikues muajin e ardhshëm Rumania do të përballet me Kosovën dhe Zvicrën.

Rumania do ta vizitojë Prishtinën më 16 qershor për t’u ballafaquar me Kosovën në Stadiumin Fadil Vokrri, në një ndeshje vendimtare për përpjekjet e të dy kombëtareve për ta siguruar pjesëmarrjen në Euro 2024 në Gjermani.

Marin, mesfushor 26 vjeç, është lojtari kyresor dhe më i vlefshëm i Rumanisë në këtë kohë. Ai e lëndoi pulpën e këmbës gjatë një seance stërvitore me skuadrën e tij italiane.

Si pasojë, ai mungoi në fitoren madhështore 4:1 të Empolit kundër Juventusit të hënën mbrëma në Serie A.

Sipas mediave rumune, Marin do të mungojë së paku një muaj e gjysmë. Por ai nuk do të jetë mungesa e vetme te rumunët, pasi as lojtari tjetër i rëndësishëm Florin Tanase nuk do të mundë të paraqitet, pasi për të sezoni ka mbaruar para kohe shkaku i një lëndimi të rëndë.

Rumania i ka fituar dy ndeshjet hapëse të kësaj fushate dhe i prin grupit bashkë me Zvicrën, duke e lënë Kosovën në një pozitë të vështirë, pasi dardanët barazuan në dy ndeshjet e para duke i mbledhur vetëm dy pikë.

Pra, për Kosovën përballja me Rumaninë në shtëpi nënkupton se vetëm fitorja ia mban gjallë shpresat për t’u kualifikuar për herë të parë në një turne të madh.

Kosova do të përballet me Bjellorusinë në udhëtim në ndeshjen e dytë dhe të fundit të këtij rrethi më 19 qershor.

Lajme të ngjashme