Real Madrid kampion i Kupës së Botës për klube, fiton 'dramën' e tetë golave ndaj Al-Hilalit
Real Madrid ka fituar Kupën e Botës për klube duke mposhtur në finale skuadrën arabe, Al-Hilal.
"Los Blancos" ishin më dominues në sfidën që u realizuan tetë gola, me madrilenët që triumfuan me rezultat 5:3.
Pas vetëm 13 minutave lojë, Reali krijoi një aksion fantastik me Karim Benzema që asistoi për Vinicius Junior, i cili realizoi nga afërsia.
Vetëm pesë minuta më vonë, mesfushori Federico Valverde me një gjuajtje të bukur vollej dyfishoi epërsinë (18').
Mirëpo, Al-Hilal arriti të këndellet duke ngushtuar epërsinë me anë të Moussa Maregas, që përfitoi nga një kundëraksion i shpejtë (26').
Dy skuadrat kishin edhe raste të tjera, mirëpo meqenëse nuk i konkretizuan shkuan në pushime me këtë rezultat.
Real Madridi e nisi sërish shumë më mirë pjesën e dytë, këtë herë Vinicius dhuroi një asistim maestral për Benzeman që riktheu dyfishimin e epërsisë (54').
Kurse, katër minuta më vonë Carvajal bashkëpunoi me Valverden duke e vendosur përballë portierit dhe uruguaiani ishte i pagabueshëm (58').
Al-Hilal arriti sërish të rikthehet në lojë këtë herë me anë të Luciano Viettos, i cili shënoi me një parabolë nga afërsia (63').
Sidoqoftë, vetëm gjashtë minuta më vonë Dani Ceballos asistoi për Vinicius Junior, që vulosi fitoren (69').
E tëra që arriti të bëjë Al-Hilal deri në fund ishte goli i tretë, njëkohësisht i fundit me anë të Viettos (79').
Kështu, Real Madrid fiton për të pestën herë në histori Kupën e Botës për klube, derisa është trofeu i dytë për këtë edicion pas Superkupës së UEFA-s.