PSG-ja e ‘shkatërron’ Ajaccion, Real Madridi me shumë vështirësi e mposht Getafen - NACIONALE

PSG-ja e ‘shkatërron’ Ajaccion, Real Madridi me shumë vështirësi e mposht Getafen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Paris Saint-Germain po marshon sigurt drejt mbrojtjes së titullit kampion, pasi kanë fituar bindshëm në ndeshjen e sotme ndaj Ajaccios me rezultat 5:0, në anën tjetër në La Liga, Real Madridi ka shënuar fitore ndaj Getafes me rezultat minimal 1:0.

Për kampionët francez nga minuta e parë u paraqit Lionel Messi, të cilit pak ditë më parë iu hoq dënimi nga klubi.

PSG – Ajaccio

Skuadra e Christophe Galtier shkëlqeu në 90 minuta lojë. Ishte Fabian Ruiz që shënoi për 1:0 në minutën e 22-të.

11 minuta më pas, Achraf Hakimi dyfishoi epërsinë, me të cilin rezultat përfundoi pjesa e parë e takimit.

Me të filluar pjesa e dytë, Kylian Mbappe shënoi për 3:0, i asistuar nga i riu Hugo Ekitike.

Në minutën e 54-të, sulmuesi francez shënoi edhe golin e dytë personal, të rezultatit 4:0.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar shënoi autogol Youssouf në minutën e 73-të.

Hakimi nga PSG dhe Mangani nga Ajaccio u ndëshkuan me karton të kuq në minutat e fundit të ndeshjes.

Kur kanë mbetur edhe tri takime deri në fund, PSG-ja gjendet gjashtë pikë para Lens, që gjendet në vendin e dytë.

Real Madrid – Getafe

Me një gol të vetëm, Real Madridi ka shënuar fitore ndaj Getafes, kështu për të rrëmbyer përkohësisht pozitën e dytë në La Liga.

Pjesa e parë ishte krejtësisht monotone, me shumë pak raste të krijuara nga dy skuadrat, që u mbyll me 0:0.

Në pjesën e dytë, të dy skuadrat filluan të sulmonin, por vetëm mbretërit konkretizuan.

Ishte Marco Asensio që shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 70-të, për rezultatin përfundimtar 1:0.

Real Madridi tani pozicionohet në vendin e dytë, me dy pikë më shumë se Atletico Madrid, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Kujtojmë se Barcelona mund të shpallet kampion me vetëm një barazim.

Lajme të ngjashme