Potter thotë se me shitjen e Jorginhos përfituan Arsenali dhe Chelsea
Trajneri i Chelseas, Graham Potter thotë se me shitjen e mesfushorit Jorginho te Arsenal kanë përfituar të dy klubet londineze.
Arsenali ishte i dëshpëruar për të nënshkruar me një qendërmesfushor gjatë janarit, ku pasi dështoi blerja e Moises Caicedos nga Brighton, "Topçinjtë" nënshkruan me italianin në një marrëveshje 12 milionë funtesh.
Kontrata e Jorginhos ishte paraparë të skadonte në verë, andaj Chelsea e vlerëson si "fitore" këtë marrëveshje, pasi pastaj edhe nënshkruan me Enzo Fernandez të Benficas për 121 milionë euro.

I pyetur për largimin e Jorginhos, Potter në konferencë për media ditën e enjte tha: "Fillimisht për këta katër muaj që kam punuar me të, ai ka qenë fantastik, një person i mirë".
"Mendoj se kur shikon se çfarë i shërbeu klubit ka qenë brilante, çfarë ka arritur. Mendoj se ndonjëherë duhet të vendosesh me klubin shkaku i kontratës dhe mundësisë që kishte për të siguruar diçka më shumë për familjen e tij".
"Në këto situata ishte pak a shumë "fitore, fitore dhe fitore". Në perspektivën time i uroj më të mirat, është top profesional", nënvizoi ai.
Jorginho gjatë kohës në "Stamford Bridge" arriti të fitojë Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, derisa ishte një titullar i padiskutueshëm këto vitet e fundit.
