Pogba: Asnjëherë nuk kam parë disiplinë si të Ronaldos
Mesfushori i Juventusit, Paul Pogba, ka thurur elozhe për qasjen profesionale të Cristiano Ronaldos. Disiplinën e tij ai e ka quajtur të paprecedent dhe më të veçantën ndonjëherë që ka parë.
Cristiano Ronaldo për momentin është futbollist i lirë, në përpjekje për ta gjetur një klub të ri, edhe pse rrethanat duken më të vështira sesa që ndoshta ai i parashikonte ato.
Në këto ditë kur ka pasur një furtunë kritikash në drejtim të tij, ka qenë 29-vjeçari, Paul Pogba, ai që i doli në mbrojtje, duke folur për një tipar të yllit portugez që askush nuk mund t’i përafrohet sipas tij: disiplina.
“Disiplina e Cristiano Ronaldos ka qenë e pabesueshme. Asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë. Nëse ka dikush që çdo ditë të vetme nuk është ndalur duke treguar një qasje të tillë – ai është Ronaldo”, tha ai.

Përfaqësuesi francez ia njohi meritën Ronaldos që gjithmonë punon fort për të qenë në formë fizikisht, duke mos bërë kompromis me asnjë ditë të vetme.
“Çdo ditë. Nganjëherë je në një humor të atillë, sa thua ‘në rregull – jam mirë’. Mirëpo, e njëjta nuk vlen edhe për Ronaldon. Disiplina e tij është e përditshme. Kjo flet diçka”, përfundoi Pogba.
Ronaldo gjatë këtyre ditëve po qëndron në pushime pranë familjarëve të tij. Mediet e ndryshme evropiane shkruajnë se ai është shumë afër që ta arrijë një marrëveshje me klubin nga Arabia Saudite, Al Nassr.
Klubi arab është në pritje të një përgjigje pozitive. Ndërkohë ata kanë filluar spastrimin e organikës, duke larguar disa lojtarë, me qëllimin e vetëm që deri më 31 dhjetor të jenë të gjitha parakushtet e nevojshme që ta zyrtarizojnë yllin 37-vjeçar.
