Përfundon baras dhe me dramë “klasikja” e Gjermanisë, Tottenham i rikthehet fitores në Premierligë
Ka përfunduar me dramë klasikja mes Dortmundit dhe Bayernit, me vendësit që barazuan në minutën e fundit 2:2. Në ndeshjen tjetër që u luajt sot në Premierligë, Tottenham mposhti 0:1 Brightonin.
Luftë dhe emocione deri në fund ishin ato që u veçuan te derbi i Gjermanisë mes Dortmundit dhe Bayernit. Vendësit gjetën forcat që të riktheheshin në lojë pas një disavantazhi prej dy golave.
Goli i shënuar nga Modeste në 90+5’ çoi në dëlir tifozët e Dortmundit, të cilët nuk u përmbajtën në festën e tyre.
Edhe ashtu ndeshja ishte e barabartë, me të dy skuadrat që siç dinë të bëjnë zakonisht zhvilluan lojë të hapur, me mundësi shënimi nga të dy anët e portave.
Ndërkaq sa i përket ndeshjes së fundit që u luajt për sot në Premierligë, asaj mes Brighton dhe Tottenham, skuadra e Antonio Contes la pas shpinës humbjen në derbin me Arsenalin, duke siguruar me mjaft vlerë.
Raporti i ndeshjes Borussia Dortmund 2-2 Bayern
Dortmundi nuk u dorëzua dhe ia doli që të dalë me një pikë nga derbi i përbetuar me Bayernin, ndonëse në një moment ndeshja mendohej se ishte fituar nga bavarezët.
Fillimisht epërsinë për Bayernin e solli Goretzka. Mesfushori gjerman goditi saktë nga distanca në minutën e 33-të, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit që të reagonte.
Kështu mbaroi edhe pjesa e parë, me bavarezët që shkuan në zhveshtore me epërsi minimale.
Sërish ishin cilësitë individuale ato që u vunë në spikamë. Në minutën e 53-të Leroy Sane shënoi golin e radhës, duke dyfishuar epërsinë për Bayernin.
Goditja e tij nga distanca ishte e papërshtatshme dhe – kësisoj – përfundoi në këndin e majtë të portës së mbrojtur nga Meyer.
Borussia Dortmundi përpiqej që të rikthehej në lojë me anë të ndërtimit të disa aksioneve të mira, ku shfaqej i rrezikshëm.
Tek në minutën e 74-të ata ia dolën që ta ngushtonin epërsinë në 1:2, falë golit që shënoi Moukoko.
Ky gol i dha vendësve shpresë që të riktheheshin në lojë. Në fakt, në minutën e 83-të patën një mundësi të mirë për ta barazuar rezultatin, por goditjen e Modeste e priti në formë madhështore portieri Neuer.
Mirëpo Borussia Dortmundi befasoi rivalin e vet në sekondat e fundit të ndeshjes. Në aksionin e fundit para se gjyqtari t’i jepte fund takimit, Schlotterbeck futi një top në zonë, ku Modeste u gjend në momentin e duhur në afërsi të portës, duke shënuar në minutën 90+5’ për 2:2.
Ky gol çmendi “murin e verdhë” të tifozëve të Borussia Dortmundit, të cilët iu gëzuan pafund barazimit. Kështu, pas kësaj xhiroje, Bayern dhe Dortmund vijojnë t’i ndajnë pikët e njëjta me 16 pikë.

Falë golaverazhit më të mirë ekipi i Nagelsmann zë vendin e tretë në tabelë.
Raporti i ndeshjes Brighton 0:1 Tottenham
Me mjaft pragmatizëm dhe dinakëri, Tottenham ia doli që të dalë me tre pikë nga një përballje e vështirë siç ishte ajo me Brightonin në udhëtim.
Vendimtar doli të ishte minuta e 22-të, kur Son futi një top në 16-metërsh dhe Harry Kane devijoi topin në rrjetë me kokë, edhe pse nga një pozitë aspak e favorshme.
Brightoni nuk ishte aspak më inferior në minutat e mbetura të ndeshjes, vetëm se nuk arriti të ishte klinik para portës.
Kështu, Antonio Conte nuk lejoi që skuadra të hyjë në një seri të rezultateve negative, duke siguruar një fitore vërtet të çmuar, në një fushë që po del të jetë makth për shumë ekipe siç është ajo e “Amex Stadium”.
Kështu, edhe pas xhiros së 9-të Tottenham do ta ruajë vendin e tretë në renditjen tabelore me 20 pikë, duke iu afruar në tre pikë Manchester City që momentalisht kryeson dhe Arsenalit në një pikë, që do ta zhvillojë nesër derbin e javës kundër Liverpoolit me fillim në ora 17:30.


