Pamje: Nunez i papërmirësueshëm, shpërdoron rast të volitshëm duke dërguar topin mbi portë
Darwin Nunez është protagonist i shpërdorimeve të aksioneve pafund për gol. Një tjetër të tillë e kishte edhe sot. Sërish topi përfundoi jashtë portës.
Liverpool fitoi 2:1 kundër Leicesterit, por forma e Nunezit me fanellën e “Të Kuqve” lë vërtetë për të dëshiruar. Ashtu u dëshmua edhe sot.
Në minutën e 78-të Liverpooli kishte një mundësi vërtet të mirë shënimi për ta mbyllur çështjen e fitores. Keita e furnizoi me një top të mirë, por ai para portës sërish dështoi që të shënojë, duke dërguar topin jashtë portës (VIDEO).
Përfaqësuesi uruguaias nuk është zëvendësuar në këtë takim, edhe pse sërish nuk ia doli që ta gjejë rrugën e golit.
23-vjeçari në këtë edicion të Premierligës numëron 12 paraqitje, ku ka shënuar 5 gola dhe regjistruar 3 asiste të tjera. Megjithatë, për fatin e tij të keq, por edhe tifozëve të Liverpoolit – nga ai më shumë mbahen mend gabimet e rëndomta para portës sesa ndonjë kontribut që ia vlen të cekët.
Kjo ishte ndeshja e tretë rresht që Nunez nuk ia del të shënojë. Në të tre këto ndeshje nuk është se i munguan raste e volitshme, por ai nuk u tregua fare i aftë që t’i konkretizonte ato.

Pavarësisht kësaj forme tejet të brishtë të tij, Klopp vazhdon t’i japë besim të plotë, duke e lavdëruar për angazhimin dhe mënyrën se si lëviz në fushë.
Të njëjtin mendim nuk e kanë edhe mediet në Britaninë e Madhe, si dhe shumë analistë të tjerë të futbollit, të cilët kritikojnë atë për këtë rendiment të dobët.
