Pamje: Leroy Sane e fsheh buzën e çarë nga grushti i Sadio Manes
Leroy Sane është parë duke e fshehur buzën e poshtme duke dalë nga aeroporti pas kthimit të Bayern Munich në Gjermani, pas disfatës 3:0 kundër Manchester City në Ligën e Kampionëve.
Sane u godit me grusht në buzë nga bashkëlojtari i vet Sadio Mane në zhveshtoren e stadiumit Etihad, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes të martën.
Me një kapelë bejsbolli në kokë, Sane e mbante buzën e poshtme brenda gojës sikur po tentonte ta fshihte lëndimin që mund t’ia ketë shkaktuar goditja nga fjalosja me bashkëlojtarin.
Çfarë ndodhi?
Sikur mos t’i mjaftonte disfata e thellë prej 3:0 në ndeshjen e parë çerekfinale kundër Manchester City në Ligën e Kampionëve të martën, Bayern Munich u godit nga një skandal i brendshëm natën e njëjtë. Sadio Mane e grushtoi në buzë bashkëlojtarin Leroy Sane.
Sipas gazetës gjermane Bild, gjithçka kishte nisur me një fjalosje në fushën e lojës dhe përfunduar me grushte në zhveshtoren e stadiumit Etihad.
Sane bëri një paraqitje shumë të mirë kundër ish-klubit të vet. Pas 69 minutave lojë, Mane u fut në lojë në vend të Jamal Musialas.
Në minutën e 83-të të ndeshjes shpërtheu një fjalosje. Mane ishte nisur vrap drejt një hapësire në mbrojtjen kundërshtare në pritje të një topi të shpejtë. Topi nuk iu pasua. Për këtë, 31-vjeçari e qortoi Sanen, i cili ishte tejet i motivuar për t’u dëshmuar kundër ish-bashkëlojtarëve. Ata argumentuan në fushë. E këtë kjo skenë vërtetohet nga fotografitë.

Pas përfundimit të ndeshjes, ata e vazhduan fjalosjen në zhveshtore, vetëm se këtë herë me zë të lartë dhe gjakra të nxehura, transmeton Gazeta Nacionale.
Sipas të përditshmes gjermane, Mane u ankua për mënyrën sesi Sane i ishte drejtuar në fushë. Papritmas, senegalezi i ra grusht në fytyrë gjermanit. Në buzë më saktë!
U nevojit ndërhyrja e bashkëlojtarëve për t’i ndarë Manen dhe Sanen.
Për t’i qetësuar gjakrat, klubi nuk kishte lejuar që ata të rrinin në të njëjtin vend bashkë më.
Bayerni nuk ka dashur ta komentojë incidentin deri më tani, por raportohet se Manes i është kërkuar të kërkojë falje para të gjithë bashkëlojtarëve në stërvitjen e së enjtes.