Pamje: LeBron James dhuron spektakël në ditëlindjen e tij të 38-të, shënon plot 47 pikë - NACIONALE

Pamje: LeBron James dhuron spektakël në ditëlindjen e tij të 38-të, shënon plot 47 pikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot,Lebron James shënon ditëlindjen e tij. Ai ka mbushur 38-vjeç. Megjithatë, sërish tregoi pse është një legjendë e basketbollit. Mbrëmë dhuroi spektakël me 47 pikë të shënuara në fitoren me përmbysje që arriti Lakers kundër Hawks me rezultat 130:121.

Vitet kalojnë, teknika mbetet e njëjta. LeBron James ishte njeriu i ndeshjes në ditëlindjen e tij të 38-të në fitoren që korri Lakers ndaj Hawks.

Paraqitja e basketbollistit amerikan ishte thjesht mbresëlënëse. Ai shënoi 29 pikë vetëm në pjesën e dytë të takimit, duke ndihmuar kështu që të bëhej rikthesa në rezultat, pasi fillimisht ishte Hawks ajo që udhëheqte.

Në ndeshjen kur për Lakers mungonte një yll siç është Davis, pasi po vuan nga një lëndim që nuk dihet se sa kohë do t’i marrë për t’u rikuperuar, u përkujdes LeBron James që të ishte lider absolut i ekipit të tij.

Ai shënoi 16 pikë në çerekun e katërt të takimit, duke ia shtuar kështu edhe 13 të tjerave që i kishte shënuar në çerekun e tretë. Në momentet përcaktuese i dha shtysë ekipit të tij me pikët që shënoi.

Kështu ai kompletoi ndeshjen me 47 pikë të shënuar, 10 kërcime dhe 9 asiste. Një paraqitje vërtet madhështore. Pavarësisht moshës ai vazhdon të jetë në mesin e basketbollistëve që bën dallimin te Lakers.

Katër herë MVP i fnaleve të NBA (2012, 2013, 2016 dhe 2020) la pa fjalë shumë adhurues të basketbollit me atë çfarë dëshmoi mbrëmë në parket, si dhe u përgjigj në distancë të gjithë të tjerëve që kanë dyshuar dhe dyshojnë në cilësitë e tij si lojtar.

Lajme të ngjashme