Në Andorrë e shohin si të merituar barazimin me Kosovën
Mediat në Andorrë e kanë cilësuar si të merituar barazimin e ekipit të tyre kombëtar me Kosovën të martën në Prishtinë, në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024.
Kundër Kosovës, Andorra e arriti vetëm barazimin e dytë në historinë 27-vjeçare të ekipit të vet kombëtar në kualifikime për Euro, pas atij 2:2 me Shqipërinë në kualifikime për Euro 2020 në vitin 2019.
“Barazim i merituar. Kombëtarja e mori një pikë nga një ndeshje e koklavitur falë një foli nga Berto Rosas dhe një paraqitjeje të mirë në mbrojtje”, shkroi gazeta e përditshme El Periodic d’Andorra.
Derisa ky cilësimi i këtij barazimi si i merituar mund të jetë i diskutueshëm, paraqitje e skuadrës së Koldo Alvarezit në mbrojtje ishte shumë e qëndrueshme dhe shumë e organizuar.
Andorra s’i lejoi dardanëve shumë hapësira dhe ia doli të mos pësojë në pjesën e parë, pavarësisht rasteve të Vedat Muriqit dhe Arbër Zenelit.
Edon Zhegrova, i ardhur nga stoli në pushimin mes pjesëve, e theu mbrojtjen vizitore falë një pasimi mjeshtëror nga Milot Rashica për ta kaluar Kosovën në njërin prej aksioneve të rralla në kundërsulm.

Por dy minuta më vonë, Rosas shënoi me kokë nga afërsia duke e shfrytëzuar hutinë në mbrojtjen kosovare dhe daljen e gabuar të portierit Aro Muric.
Ky gol mjaftoi për t’ia siguruar pikën e parë në Grupin I kualifikues për Euro 2024 Andorrës, dhe vetëm pikën e pestë në historinë e vet në kualifikime për Euro.
Kjo pikë mund të mos i kryejë shumë punë Andorrës, e cila nuk llogaritet në garë për kualifikim, por kjo nuk i ndaloi lojtarët e saj ta festonin atë në fushën Fadil Vokrri sikur ta kishin siguruar tashmë pjesëmarrjen në Euro 2024.
Andorra është njëra prej kombëtareve me reputacionin më të keq në Evropë, për shkak të rekordit tejet negativ të fitoreve karshi humbjeve.
Një fitore, kundër Moldavisë më 2019, dhe barazimeve me kuqezinjtë e dardanët, janë rezultatet e vetme pozitive të saj që prej vitit 1996 kur bën gara si kombëtare.