NBA: 76ers i çon në ‘shtëpi’ Netsat, Suns shumë afër t’i eliminojë Clippersat - NACIONALE

NBA: 76ers i çon në ‘shtëpi’ Netsat, Suns shumë afër t’i eliminojë Clippersat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Philadelphia 76ers ka shënuar edhe fitoren e katërt ndaj Brooklyn Nets me rezultat 96:88 për t’i eliminuar nga gara me rezultat të pastër 4:0 në seri, në anën tjetër Phoenix Suns është shumë afër kalimit tutje pasi kryeson 3:1 ndaj Los Angeles Clippers.

Dy ndeshjet tjera të zhvilluara kanë prodhuar rezultate sa interesante, aq edhe të çuditshme, pasi si Memphis Grizzlies ashtu edhe Milwaukee Bucks kanë pësuar humbje nga Los Angeles Lakers dhe Miami Heat, respektivisht.

76ers ia ndalën shumë shpejt rrugëtimin Netsav, duke i mposhtur gjatë mbrëmjes së kaluar në Barclays me tetë pikë epërsi.

Brooklyn Nets e filloi shumë mirë takimin duket fituar dy çerekët e parë dhe duke shkuar në pushim me tetë pikë epërsi, por kthesa e madhe ndodhi në çerekun e tretë, aty ku Philadelphia e përmbysi rezultatin, pastaj për ta siguruar fitoren në fund.

James Harden me 17 pikë, tetë rebounds, 11 asistime dhe Tobias Harris me 25 pikë, 12 rebounds ishin më të dalluarit në këtë ndeshje, ndërsa pikët e Claxton e Dinwiddie ishin të pamjaftueshme për ta shpëtuar rrugëtimin e tyre.

Te Phoenix Suns ka shkëlqyer treshja Durant – Booker – Paul, duke siguruar fitoren e tretë ndaj Clippersave.

LAC të vetmin çerek që fitoi në shtëpi ishte i pari i ndeshjes, pastaj në tre çerekët e tjerë yjet e Suns ishin thjesht të pandalshëm.

Devin Booker me 30 pikë, nëntë rebounds, shtatë asistime, tre topa të vjedhur dhe Kevin Durant me 31 pikë, 11 rebounds dhe gjashtë asistime, të ndihmuar edhe nga Chris Paul me 19 pikë e nëntë asistime shënuan fitore prej 12 pikësh epërsi, 112:100, me ndeshjen vendimtare që zhvillohet tani në arenën e Phoenix Suns pas dy ditësh.

Miami Heat ka shënuar edhe fitoren e dytë ndaj Bucks, tani me rezultat paksa më të thellë, 121:99.

Heat ishin thjesht të pandalshëm dhe dominuan tërë takimin ndaj skuadrës me rekordin më të mirë në sezonin e rregullt të NBA-së.

Jimmy Butler me 30 pikë, pesë rebounds, katër asistime dhe Bam Adebayo me 12 pikë, 11 rebounds e pesë asistime ishin figurat kyçe të fitores, që çuan serinë 2:1 në të mirë të tyre.

Lakers në anën tjetër ka mposhtur një nga skuadrat më të mira të Konferencës Perëndimore, Grizzlies edhe pas paraqitjes së jashtëzakonshme të Ja Morant.

Çereku i parë doli të ishte fatal për Memphisin, pasi u mposhtën 35:9, pas të cilit nuk arritën të këndelleshin më.

LeBron James me 25 pikë, nëntë rebounds, pesë asistime dhe Anthony Davis me 31 pikë e 17 rebounds ia sollën fitoren e dytë Lakersave dhe çuan serinë në 2:1, ndërsa paraqitja fantastike e Morant me 45 pikë, nëntë rebounds dhe 13 asistime kësaj radhe ishte e pamjaftueshme.

Lajme të ngjashme