Naby Keita do të largohet nga Liverpooli
Mesfushori Naby Keita pritet të largohet në verë nga Liverpooli sapo t'i skadojë kontrata.
Ai nënshkroi për "Reds" nga RB Salzburgu në vitin 2018 në një marrëveshje 52.75 milionë funtesh, por assesi s'ia doli ta dëshmojë se vlen për ato para.
Keita luajti rregullisht te Liverpool vetëm edicionin e parë duke bërë 33 paraqitje në të gjitha garat, ku fitoi edhe Ligën e Kmapionëve, por pastaj vuajti nga lëndimet e shumta.
"Sky Sports Germany" raporton se koha e tij në "Anfield" ka ardhur drejt fundit dhe një rinovim i kontratës nuk do t'i ofrohet.
Raporti shton se ka interesim të madh për shërbimet e lojtarit dhe më shumë gjasë ai do të rikthehet në Bundesliga.
Liverpool pritet të bëjë ndryshime të mëdha në mesfushë, sidomos pas kritikave të mëdha këto vitet e fundit për paraqitjet e zbehta nga mesfushorët.
Alex Oxlade-Chamberlain gjithashtu pritet të largohet, derisa kontratë e re nuk do t'i ofrohet as veteranit James Milner.
Liverpool e ka bërë prioritet transferimin e Jude Bellingham nga Borussia Dortmund, sidoqoftë një marrëveshje e tillë do të kushtojë mbi 120 milionë euro, derisa duhet të garojë edhe me Real Madridin për shërbimet e anglezit.