Munishi: U shkelën rregullat e futbollit, kështu nuk shkon më - NACIONALE

Munishi: U shkelën rregullat e futbollit, kështu nuk shkon më

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ismet Munishi ka folur në përfundim të ndeshjes kundër Dukagjinit, të cilën e humbi Prishtina 1:0 në “18 Qershori”, edhe si rrjedhojë e një ndarje skandaloze të drejtësisë nga gjyqtari Mentor Ajeti.

Prishtina doli me shumë pakënaqësi nga ndeshja e sotme që luajti në Klinë. Më shumë sesa vetë humbja, zhgënjim shkaktoi mënyra se si erdhi ajo e si u ndikua drejtpërdrejt nga vendimet e gjyqtarit Ajeti.

Trajneri kryeqytetas në fund të takimit u prononcua në lidhje me përshtypjet që pati nga kjo sfidë. Ai paralajmëroi se klubi nuk do të rrijë duarkryq, por do të reagojë së shpejti.

"Klubi do të dalë me komunikatë. Vetë me veshët e mi e dëgjova gjyqtarin kur fishkëlleu. Janë shkelë rregullat e futbollit. Ai gol është fantazëm. Nuk ekziston. Fusha ishte pak e rënduar. Normalisht që nuk kishte kushte për pasimin e fundit. Ishte e vështirë. Lojtarët bënë maksimumin, por njëherë e përgjithmonë duhen përmirësuar gjërat. Nuk shkon kështu”, tha ai.

Munishi deklaroi se është bërë një punë e mirë deri tani nga stafi i udhëhequr nga ai, duke shtuar se skuadra do të kishte edhe më shumë pikë poqë nuk do të ndodhnin disa parregullsi.

“Ne kemi bërë punë shumë të mirë. Po të ishte gjithçka korrekte ndoshta do të kishim pasur pikë më shumë. Kjo ishte e tepërt”, përfundoi Munishi.

Lajme të ngjashme