Manchester United siguron finalen e Kupës Carabao – do të luajë kundër Newcastlet
Manchester United fitoi 2:0 kundër Nottingham Forest në gjysmëfinalen e dytë që luajti në Kupën Carabao. Falë rezultatit të përgjithshëm 5:0, “Djajtë e Kuq” siguruan finalen e kësaj kupe, të cilën do ta luajnë më 26 shkurt kundër Newcastlet.
Thuajse vetëm formalisht u zhvillua ndeshja e kthimit në gjysmëfinalen e Kupës Carabao mes Manchester United dhe Nottingham Forestit.
Skuadra e Ten Hag edhe në ndeshjen e sontme ishte më e qartë në lojën e saj, duke mbizotëruar thuajse në çdo fazë. Trajneri holandez hyri me formacionin startues, pa e nënvlerësuar aspak ndeshjen, pavarësisht epërsisë që kishte nga sfida e parë.
Ajo arriti të shënojë fitore edhe në këtë ndeshje të kthimit. Dy gola brenda tre minutave bënë dallimin. Fillimisht ishte Martial ai që në minutën e 73-të shënoi për 1:0, pas topit që iu shërbye nga Rashford.
Më pas, tre minuta më vonë, gjithmonë Rashford ishte asistues, por ndryshoi golashënuesi. Në këtë rast i saktë nga afërsia u tregua mesfushori brazilian Fred.
Kështu përfundoi edhe ky takim. Falë kësaj fitore Manchester United siguroi kalimin në finale të Kupës Carabao ku do ta luajë më 26 shkurt në “Wembley” kundër Newcastlet.
Pas tri javësh Ten Hag apo Eddie Howe do ta kenë mundësinë që ta korrin suksesin e parë për këtë sezon të sivjetëm.
Si Manchester United, ashtu edhe Newcastle, po kalojnë në formë mjaft të mirë gjatë javëve të fundit. Manchester United zë vendin e 4-t tabelor me 39 pikë në Premierligë, kurse Newcastle atë të 3-të me pikët e njëjta, vetëm se me goldallim më të mirë.
Përmbledhja e ndeshjes Manchester United - Nottingham Forest: