Man United fiton edhe si mysafir i Betisit, avancon në çerekfinale të Ligës së Evropës
Manchester United ka shënuar fitore minimale edhe në udhëtim te Real Betis për ta siguruar vendin në çerekfinale të Ligës së Evropës.
"Djajtë e Kuq" triumfuan me rezultat 0:1, për të avancuar tutje me rezultat të përgjithshëm 1:5.
Real Betis e nisi shumë më mirë duke rrezikuar disa herë radhazi me anë të Juanmi dhe Joaquin, të cilët dëshpëruan me raste të humbura nga afërsia.
Man United ishte shumë më e qetë gjatë kësaj pjese duke pasur ndoshta vetëm një rast me anë të Facundo Pellistrit, por nuk e finalizoi nga afërsia.
Ishte sulmuesi Marcus Rashford që shënoi një gol të mrekullueshëm nga distanca për t'i dhënë epërsinë Man Unitedit pas 56 minutave lojë.
Skuadra angleze kishte rastin për ta vulosur fitoren, por Jadon Sancho tregua egoist duke tentuar nga një pozitë një me një me portierin dhe refuzuar t'ia pasojë topin Anthony Elangas.
Sidoqoftë, me këtë fitore Man United siguron kualifikimin tutje duke u bërë skuadra e parë që mbërrin në çerekfinale të Ligës së Evropës.
Kundërshtarin e radhës, klubi i drejtuar nga Erik ten Hag do ta mësojë pas hedhjes së shortit të premten.