Lukaku: Gjithçka ndryshoi kur e pashë Adrianon
Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, ka thënë se legjenda zikaltër Adriano ka pasur një ndikim shumë të madh në karrierën e tij.
Nuk kaloi shumë kohë pasi Lukaku iu bashkua Interit për herë të parë më 2019 kur njerëzit filluan ta krahasonin me Adrianon.
Adriano ishte një sulmues të cilin ishte pothuajse të pamundur ta ndalësh kur turrej përpara, për shkak të forcës, eksplozivitetit dhe aftësive për ta mbajtur nën kontroll topin gjatë vrapimit të shpejtë.
Sulmuesi belg ka treguar disa tipare të ngjashme me brazilianin, veçanërisht në fillimet e tij në Meazza nën udhëheqjen e Antonio Contes.
Edhe sipas vetë Lukakut, ngjashmëritë në stilin e lojës vijnë si pasojë e frymëzimit që e ka marrë nga braziliani.
Ai nuk e mban fshehtë se Adriano ishte lojtar të cilin e kishte marrë shembull në rininë e tij.

“Adrianon do të doja ta kisha shok dhome, sepse është njeri shumë i mirë. Sa herë që flas me të ndihem emocional”, tha Lukaku.
“Kur e pashë atë duke luajtur isha vetëm 10 vjeç dhe gjithçka ndryshoi për mua”, theksoi belgu.
“E mbaj në mend njerëzit thoshin se ai është lojtar shumë i fortë që e përdor vetëm këmbën e majtë”.
Adriano i shënoi 47 gola në 115 paraqitje për Interin, por ai nuk e përmbushi kurrë potencialin e madh që kishte për shkak se vuajti nga depresioni pasi i vdiq babai dhe karriera e tij mori teposhtën.