Luka Modric: E kemi zor ta ndalin Leo Messin, por ne e kemi ADN-në e Real Madridit
Luka Modric e ka pranuar se Kroacia do të hasë në vështirësi për ta ndalur Lionel Messin në përballjen e tyre gjysmëfinale me Argjentinën në Kupën e Botës, por ka këmbëngulur se kroatët kanë qëndrim të ngjashëm me Real Madridin për të mos u dorëzuar kurrë.
Modrici, 37 vjeç, e udhëhoqi Kroacinë drejt gjysmëfinales së dytë radhazi në Kupën e Botës, duke i ndihmuar ta mposhtë në penallti favoritin e këtij turneu Brazilin.
Mesfushori i Real Madridit mezi pret të përballet edhe me dikur rivalin e vet në nivel klubi, Messin, dhe është i gatshëm për ta kaluar gjysmëfinalen për herën e dytë radhazi.
“Mund të thuash se ne e kemi ADN-në e njëjtë si Real Madridi, sepse ne nuk ndalemi deri në fund, dhe kurrë nuk dorëzohemi”, tha Modrici.
Messi i ka ndihmuar Argjentinës të arrijë në gjysmëfinale duke i shënuar katër gola dhe duke i dhënë dy asiste, në përpjekje për ta fituar Kupën e Botës për herë të parë në karrierë në atë që pritet të jetë pjesëmarrja e fundit për 35-vjeçarin në Botëror.

I pyetur për përballjen me Messin dhe Argjentinën, kapiteni i kroatëve tha: “Dua ta luaj një gjysmëfinale tjetër kundër një ekipi të madh, këtë e dua, jo thjesht kundër një lojtari.”
"Natyrisht Leo është shumë i madh, ai është lojtari më i mirë i tyre, dhe ne do të kemi shumë vështirësi për ta ndaluar atë, por jemi të gatshëm dhe do të japim gjithçka nga vetja. Shpresoj se do të mjaftojë për të na çuar në finale”, shtoi ai.
Gjysmëfinalja mes Kroacisë dhe Argjentinës zhvillohet këtë të marte në orën 20:00.

