"Llapit 186 mijë euro, neve 75 mijë" - Zeka e akuzon FFK-në për diskriminin - NACIONALE

"Llapit 186 mijë euro, neve 75 mijë" - Zeka e akuzon FFK-në për diskriminin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Trepçës ’89 Abedin Zeka publikoi një të dhënë ku dëshmohet se si klubi i tij është diskriminuar nga FFK edhe në të holla.

Abedin Zeka për herë të parë ka publikuar të gjitha shifrat e parave që kanë marrë disa klube kosovare. Ai sërish shfaqi pakënaqësi ndaj organit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe vetë të parin e tij, Agim Ademin, për mënyrën aspak të hijshme se si po operojnë.

“A po don me të tregu diçka? Këtu ka interesgji. Ja një lajm ku shihet diskriminimi KF Llapi ka qenë organizator për ta rrëzuar Agim Ademin. Tani ka marrë 186 mijë euro gjatë vitit. Dukagjini ka marrë 112 mijë euro. Klubi i Arbërisë ka marrë 60 mijë e 500 euro. Gjilani ka marrë 101,500 euro. Ndërkaq Trepça ’89 ka marrë 57 mijë e 500 euro”, tha ai për "Kanal 10".

Po ashtu, gjatë emisioni kryetari i Trepçës ’89 ka treguar një prapaskenë vërtet të hidhur nga takimi i djeshëm që janë munduar ta organizojnë disa klube në selinë e FFK-së, edhe pse derën e saj e gjetën të mbyllur.

"Ne kemi shkuar te selia e FFK-së si klube për të biseduar, Remzi Ejupi e ka organizu", shtoi ai.

"Aty e kemi gjetur vetëm një punëtor të federatës, të cilit Ejupi i kërkoi të na e bënte një fotografi neve që ishim aty. Ai na tha ma përpara e fotografoj Vuciqin se juve", tha ai për "Kanal 10".

Dje, rreth 10 klube të futbollit, shumica nga Superliga, e gjetën të mbyllur derën e selisë së Federatës së Futbollit të Kosovës kur shkuan të shtunën në mesditë për të diskutuar për telashet me të cilat po përballet futbolli në vend.

Gazeta Nacionale merr vesh nga burime të veta brenda klubeve se ato nuk i pritën në takim as nga presidenti i FFK-së Agim Ademi e as nga ndonjë zyrtar tjetër.

Lajme të ngjashme