Legjenda e Bayern Munichut, Matthaus: Nuk kemi pse t'i frikësohemi Haalandit
Bayern Munich nuk duhet t'i frikësohet Erling Haalandit para ndeshjes çerekfinale në kuadër të Ligës së Kampionëve, kështu thotë legjenda gjermane Lothar Matthaus.
"Bavarezzët" do të përballen me Man Cityn në kuadër të çerekfinales, pas shortit të hedhur të premten e kaluar.
Ylli i Manchester Cityt, Erling Haaland po kalon një formë të shkëlqyeshme duke shënuar 39 gola në 26 paraqitje, mirëpo Mattheus mendon se Bayerni s'ka pse t'i frikësohet.
"Manchester City është në formë shumë të mirë para ndeshjes. Haaland ka luajtur shpesh ndaj Bayernit por ka shënuar më pak. Nuk kemi nevojë t'i frikësoheni atij", tha shkurtimisht ai për "Sky Germany".
Nëse shohim statistikat, ish ylli i Dortmundit ka luajtur shtatë herë ndaj Bayernit duke regjistruar shtatë humbje, por ka arritur të shënojë pesë gola.
Haaland po vazhdon të thyejë rekorde derisa në ndeshjen ndaj RB Leipzigut u bë lojtari i dytë në histori që shënon pesë herë brenda një ndeshje, gjë që s'ishte arritur që nga Leo Messi.
Për Cityn, Bayerni është skuadra e dytë që përballet në fazën e eliminimit direkt pas Leipzigut dhe tani mbetet të shihet nëse do të arrijnë ta kalojnë këtë test të vështirë.
Cilado skuadër që avancon në gjysmëfinale do të përballet me fituesin e ndeshjes Real Madrid - Chelsea.