Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slamin e Tel Avivit
Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e Tel Avivit duke mposhtur xhudisten nga Izreali, Gili Sharir në "Repechage".
Fazliu ishte më e mirë se xhudistja izraelite duke e mposhtur me ‘wazzari’ në “Golden Score”.
Kosovarja e nisi për mrekulli këtë kompeticion duke mposhtur xhudisten nga Britania e Madhe, Gemma Howell në raundin e parë.
Pastaj, ajo shënoi fitore ndaj xhudistes nga Hungaria Brigitta Varga, mirëpo pësoi humbje në çerekfinale nga kanadezja Catherine Beauchemin-Pinard, kështu medaljen iu nevojit ta kërkonte përmes "Repechage".

Në "Repechage", Fazliu fitoi ndeshjen më të madhe deri me tani të karrierës duke mposhtur legjenden franceze Clarisse Agbegnenou, e cila deri me tani ka fituar hiq më pak se pesë tituj të botës dhe pesë medalje të arta evropiane, derisa është kampione olimpike në fuqi.
Kjo fitore ndaj një nga xhudistët më të mira në histori e motivoi që të shënojë fitore edhe ndaj xhudistes nga Izreali, Gili Sharir, për ta fituar medaljen e bronztë në këtë Grand Slam me anë të një “wazzari”.
Për Laurën kjo është medalja e parë e fituar në Grand Slam, derisa e festoi duke e përqafuar trajneren Majlinda Kelmendi.