“Ky lloj futbolli është në dëm të Kosovës” – thotë Daja pas përmbysjes së Llapit
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se futbolli që aplikoi Llapi pasi kaloi në epërsi nuk është në dëm të tyre por në dëm të Superligës së Kosovës, por sipas tij skuadra suharekasve do të vazhdojë ta luajë futbollin e saj pavarësisht gjithçka.
Daja thotë se duhet të përmirësohen në aspektin e goditjeve standarde, pasi po pësojnë vazhdimisht, teksa pati edhe kritika për penalltinë e shkaktuar nga lojtarët e tij në minutat e para të takimit.
“E nisëm shumë keq me atë penallti të dhuruar, kur nuk kishte pse, kishim mund ta largonim topin pa shkaktuar penallti. Reaguam mirë për të shkuar në avantazh, pastaj kemi pësuar dy gola të shpejtë, teksa ky ishte goli i tretë që marrim nga goditjet standarde, që do të thotë se duhet të jemi të kujdesshëm edhe me topin e dytë jo vetëm të parin. Pas kësaj ka pasur shumë pak futboll. Ballkani vazhdon të luajë futboll edhe kur është në avantazh. Kjo nuk është në dëm të Ballkanit por në dëm të futbollit të Kosovës, por po përshtatemi tani. Mendoj se po kalojmë në një periudhë kalimtare, kur nuk kemi formën më të mirë, duhet të analizojmë gjërat dhe të shohim përpara sepse kampionati ka edhe shumë ndeshje tjera.”
Sipas trajnerit nga Shqipëria, kjo nuk është një formë e dobët por që janë disa momente të këqija dhe se futbolli natyrshëm i ka të tre rezultatet brenda.

“Nuk kemi formë të dobët, por nuk jemi në më të mirën tonë. Natyrshëm në futboll janë prezentë tri rezultate, kemi pasur periudhë të gjatë pa humbje edhe pse nuk kemi fituar në katër ndeshjet e fundit. Kemi pasur probleme me kontingjentin, kemi mungesa në sulëm dhe sulmuesit që kemi marrë tani po adaptohen, me Berishën që bëri paraqitje të mirë. Mungesa e lojtarëve tanë kryesor dhe forma fizike janë arsyet kryesore. Kjo gjendje fizike nuk është më e mira e mundshme por nuk është keq duke parë që kemi luajtur në mesjavë një ndeshje të fortë dhe tani. Nganjëherë kemi ngërç psikologjik, ku tensioni i tepërt nuk duhet të jetë prezentë në lojën tonë, sepse ne luajmë futboll të shpejtë dhe cilësor, gjithsesi mendoj se do të bëjmë më mirë në ndeshjet në vazhdim.”
