Kosova regjistron një tjetër barazim, kësaj radhe ndalet nga Ishujt Faroe
Kosova ka barazuar sërish. Barazimi i dytë rresht erdhi ndaj Ishujve Faroe me rezultat 1:1. Në këtë ndeshje spikati Uran Bislimi me golin tejet të bukur që shënoi.
Kombëtarja e Kosovës sot në “Fadil Vokrri” zhvilloi ndeshjen e radhës miqësore dhe të fundit për këtë vit kalendarik, duke u ndeshur ndaj Ishujve Faroe në praninë e një numri vërtet të vogël shikuesish.
Në këtë takim përzgjedhësi Giresse u dha hapësirë kryesisht lojtarëve që nuk kanë pasur minutazh në ndeshjen e parë që u zhvillua të mërkurën ndaj Armenisë, e që përfundoi 2:2.
Pjesa e parë u karakterizua me një ritëm shumë të ngadaltë të lojës, ku rastet munguan në të dy anët. Pasime horizontale, pa shumë dinamizëm, bën që fraksioni i parë i lojës të ishte edhe monoton.
Në pjesën e dytë Kosova hyri në fushë duke prodhuar paksa më shumë volum loje, kjo e ndihmuar edhe nga fakti që u bënë disa zëvendësime.
Momenti më i bukur i ndeshjes erdhi në minutën e 64-të. Ishte mesfushori kreativ i Luganos, Uran Bislimi, ai që shënoi golin e parë me fanellën e Kosovës. Në fakte, ishte një kryevepër në vete, pasi koordinoi një goditje mjaft të fuqishme nga 25 metra, duke përfunduar topin në cepin e djathtë të portës kundërshtare.
Ky gol ngjalli një eufori dhe gëzim tek ata pak veta që ishin në stadium. Megjithatë, Kosova nuk ia doli që ta ruajë këtë epërsi deri në fund të ndeshjes.
Për ndeshjen e dytë radhazi ishte mbrojtësi Lirim Kastrati ai që tregoi lëshime të konsiderueshme në lojë. Në minutën e 77-të mbrojtësi kosovar nuk ia doli ta spastrojë topin.
Kështu, Radosavljevic përfitoi nga ky rast, duke pranuar dhe topin për të shkuar drejt portës së Kosovës, për ta futur në brendi të saj për 1:1.
Deri në fund Kosova u mundua që të prodhojë edhe disa raste për shënim, por që nuk ishin flagrante. Përtej golit, me paraqitje mjaft të mirë u veçua Uran Bislimi, i cili dëshmoi se ka një cilësi më të madhe sesa të tjerët që ishin pjesë e këtij formacioni.
Tani Kosova nuk do të luajë deri në mars të vitit të ardhshëm, kur e pret faza e kualifikimeve për Evropianin 2024. “Dardanët” janë në Grupin I së bashku me Zvicrën, Andorrën, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Izraelin.

Në publik është vlerësuar si short i favorshëm, ndërsa nga zyrtarët e kombëtares edhe një herë është deklaruar se objektiv kryesor do të jetë kualifikimi në Evropian.
Ndeshja e radhës e Kosovës do të jetë më 25 mars ndaj Izraelit në udhëtim, me ç’rast do të jetë edhe sfida hapëse e Grupit I.

