E dhimbshme: Kosovës i rrëshqet ëndrra nga duart, Turqia shkon në Botëror
Kosovo ka pësuar një humbje të dhimbshme 0-1 ndaj Turiqsë në finalen e “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës, duke i dhënë fund ëndrrës për një paraqitje historike në skenën më të madhe të futbollit.
Ndeshja u vendos nga një moment i vetëm vendimtar në pjesën e dytë. Në minutën e 53-të, Kerem Aktürkoğlu realizoi golin e vetëm të takimit. Ky moment rezultoi fatal për Kosovën, e cila deri atëherë tregoi performancë e jashtëzakonshme në pjesën e parë.
Kosova iu afrua golit në disa raste premtuese, përfshirë një goditje të rrezikshme nga Fisnik Asllani, për të cilën portieri turk reagoi me një ndërhyrje vendimtare. Edhe Vedat Muriqi pati një mundësi të mirë, por goditja e tij përfundoi mbi portë.
Në pjesën e dytë, Kosova u përpoq të reagojë përmes zëvendësimeve dhe presionit ofensiv. Edon Zhegrova dhe Milot Rashica u aktivizuan për të shtuar kreativitetin në sulm, por mungesa e saktësisë në finalizim dhe organizimi mbrojtës i Turqisë bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar.
Në minutat e fundit, përpjekjet e Kosovës u intensifikuan, por pa sukses konkret. Një goditje nga distanca e Lumbardh Dellovës përfundoi shumë afër portës.
Me këtë humbje, Kosova mbetet jashtë Kupës së Botës, duke humbur një mundësi të artë për të shkruar histori.