KOK kërkon sqarime nga UEFA për heqjen dhe djegien e flamurit të Kosovës në Beograd - NACIONALE

KOK kërkon sqarime nga UEFA për heqjen dhe djegien e flamurit të Kosovës në Beograd

2 javë më parë

nga NACIONALE

Komiteti Olimpik i Kosovës ka reagua ndaj largimit të flamurit të Republikës së Kosovës nga ambientet e Kongresit të UEFA-s, i cili u mbajt në Beograd të Serbisë.

Përmes një njoftimi për media, KOK ka bërë me dije se ka kërkuar sqarime nga UEFA për këtë rast.

Madje, KOK ka kërkuar edhe marrjen e masave ndaj Serbisë si mikpritëse e kongresit.

“Edhe më shqetësues dhe i turpshëm është fakti që flamuri i vendosur në mesin e flamujve të shteteve tjera përfundoi në duart e huliganëve, të cilët më pas e dogjën përpara ambienteve ku po mbahej Kongresi. Ky akt përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj simboleve shtetërore të Kosovës, por edhe ndaj vlerave themelore të sportit: respektit, barazisë dhe përfshirjes”, është thënë në njoftimin e KOK, duke shtuar se veprimet e tilla janë të patolerueshme.

“KOK kërkon sqarime nga organizatori i Kongresit, në këtë rast UEFA, për heqjen dhe djegien e flamurit, e njëkohësisht kërkojmë marrjen e masave të mikpritësit të këtij Kongresi, i cili sipas pamjeve të publikuara edhe gjatë punimeve të Kongresit u përfshi në aktet e heqjes së flamurit. Kosova dhe institucionet tona sportive janë anëtare të barabarta në të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe, si të tilla, duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive, pavarësisht se kush është vendi mikpritës”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme