KB Peja nikoqire e KB Trepçës në finalen e dytë të Superligës së Basketbollit - NACIONALE

KB Peja nikoqire e KB Trepçës në finalen e dytë të Superligës së Basketbollit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas fitores në ndeshjen e parë finale, KB Trepça do të udhëtojë për t’u përballur me KB Pejën në finalen e dytë, në një ndeshje të zjarrtë që na pret në palestrën Karagaqi, të mbipopulluar me tifozë vendas.

Mitrovicasit vijnë nga një ndeshje shumë e mirë që u zhvillua në Minatori, ku patën epërsinë pothuajse gjatë tërë takimit, me Pejën që vetëm një herë doli në epërsi në minutat e fundit.

Seria finale, ashtu si gjysmëfinalet, zhvillohen me pesë ndeshje, me skuadrën që fiton tri, shpallet kampion i edicionit të sivjetshëm të Superligës së Kosovës.

Pejanët patën sezon të rregullt shumë më të mirë, ku në 28 ndeshje fituan 21 dhe u mposhtën vetëm shtatë herë, për ta përfunduar sezonin në vendin e dytë, ndërsa mitrovicasit me 17 fitore dhe 11 humbje përmbylli top katërshen.

Në ndeshjet e ndërsjella gjatë sezonit të rregullt, KB Peja ka rekord më të mirë, duke fituar tri përballje me vetëm një që i ka takuar KB Trepçës.

Ndeshja do të fillojë në 17:15 në palestrën Karagaqi, me mysafirët që mund ta çojnë serinë finale 2:0 dhe me mundësinë e artë për t’u shpallur të enjten kampion në Mitrovicë, ose seria të zgjatet me një fitore të vendasve, për t’u barazuar gjithçka në 1:1.

Lajme të ngjashme