Kamberi ankohet për kartonët e kuq në ndeshjen Morava – Tërnoci - NACIONALE

Kamberi ankohet për kartonët e kuq në ndeshjen Morava – Tërnoci

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në rrjetin social të tij në Facebook, është ankuar se tre lojtarë të KF Tërnocit janë përjashtuar në ndeshjen ndaj Moravës, vetëm për shkakun se ata janë shqiptarë.

KF Tërnoci bën pjesë në ligën ‘Zona Jug’ të Serbisë, aty ku gjendet në vendin e 14-të pas humbjes së sotshme nga Morava me rezultat 2:0, përballje kjo që u pezullua në minutën e 65-të pasi skuadra nga Bujanovci u tërhoq nga ndeshja pas tre kartonëve të kuq.

Kamberi ka shkruar se eliminimi i skuadrës shqiptare nga liga ishte qëllimi kryesor i këtij skandali. Sipas tij, ky rast tregon se sa shumë i pengojnë shqiptarët serbëve dhe ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Serbisë të reagojë.

Tutje ai ka shkruar se Tërnoci mund të humbasë në garë e në fushë, po ata nuk do të shuhen e as eliminohen, ndërsa gjyqtarët e takimit i ka quajtur të pacipë e me qëllime tendencioze.

Statusi i plotë i Shaip Kamberit:

“3 kartona të kuq për lojtarët e KF Tërnocit në minutin e 65' të ndeshjes së zhvilluar në Vlladiçin Han në fakt janë kartonë të kuq për shqiptarët në përgjithësi.

Eliminimi nga Liga në të cilën KF Tërnoci po garon është qëllimi kryesor i këtij skandali të paparë deri më tash.

Atyre po i pengon prezenca e KF Tërnocit në këtë garë. Vendosmëria e lojtarëve e entuziazmi i ekipit që po udhëheq me klubin.

Gati e gjithë pjesa tjetër e ekipit është ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe si pasojë është ndërprerë ndeshja.

Kjo është e padrejtë. Kjo është pasqyra më e mirë se sa pak na donë e sa shumë i pengojmë. Qoftë edhe në fushë e po ashtu edhe në garë.

Ftoj Federatën e futbollit që të ndalojë menjëherë këto padrejtësi.

KF Tërnoci as nuk shuhet e as nuk eliminohet.

Ai, nganjëherë edhe mund të humbë, por në garë e në fushë.

Jo me referë të pacipë e me qëllime tendencioze.

Kartoni i kuq i referit në Vlladiçin Han mund edhe të ketë eliminuar nga loja Herolindin, Basrijën e Notin, por asnjëherë nuk do ta vrasë vullnetin e tyre për të shkëlqyer për KF Tërnocin.”

KF Tërnoci gjendet në zonën e rrezikshme të tabelës, ndërsa pas skandalit të sotëm ata kanë dalë me komunikatë se po mendojnë edhe tërheqjen nga garat, pasi këto vendime në fushë po janë të vazhdueshme kundër tyre.

Lajme të ngjashme