Juventusi i shpëton dënimit të ri me pikë për çështjen e pagave
Federata e Futbollit e Italisë e ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga Juventusi dhe si pasojë ka vendosur të mos e dënojë sërish me heqje pikësh klubi bardhezi.
Megjithatë, ish-presidenti i Juventusit Andrea Angelli e ka refuzuar marrëveshjen dhe do të përfundojë në gjyq si pasojë.
Gjykimi i dytë mbi dyshimet rreth manovrimit të pagave nga Juventusi dhe marrëdhëniet mes menaxherëve të lojtarëve dhe klubit u mbajt të martën në Romë.
Gjykata e pranoi marrëveshjen mes Juventusit dhe Prokurorit të federatës italiane Chine, që nënkupton se klubi do të dënohet vetëm me një gjobë prej rreth 700 mijë euro dhe jo me heqjen e më shumë pikëve.
Kjo marrëveshje po ashtu nënkupton se Juventusi e ka pranuar fajin dhe nuk do të ankohet ndaj vendimit.
Juventusi është dënuar tashmë me heqjen e 10 pikëve dhe si pasojë mbeti jashtë Ligës së Kampionëve, duke rënë në pozitën e shtatë në tabelë nga vendi i dytë.
Skuadra e Massimiliano Allegrit do të përpiqet ta zërë njërën nga dy vendet që çojnë në Ligën e Evropës, pesë apo gjashtë, pasi nga vendi i shtatë mund të luajë vetëm në garën e dorës së tretë, Ligën e Konferencës.
Por garimi i zonjës së vjetër në Evropë sezonin e ardhshëm nuk varet vetëm nga ajo, pasi UEFA është duke e hetuar atë dhe mund të vendosë ta përjashtojë nga garat e veta plotësisht.
Ecco cosa prevede il patteggiamento che chiude il processo sulle manovre stipendi della #Juventus
— Giovanni Capuano (@capuanogio) May 30, 2023
Opinioni?https://t.co/G2WdHOHdYH
