Ish-kampioni i botës Deontay Wilder arrestohet në Los Angeles
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Deontay Wilder, është arrestuar sot në Los Angeles, për posedim të një arme, të cilën e mbante të fshehur në veturën e tij.
Departamenti i Policisë së LA-së, njoftoi se Wilder, 37 vjeç, u arrestua në orën 01:15 të mëngjesit me orën lokale të së martës në mëngjes. Ai u lirua me një garanci prej 35 mijë dollarësh rreth pesë orë më vonë. Akuza është cilësuar si krim.
Sipas TMZ, oficerët e ndalën Wilderin në rrugën e famshme ‘Hollywood’ për xhamat e terruar ilegalisht dhe një targë të mbuluar në Rolls Roycen e tij. Media amerikane gjithashtu raportoi se oficerët morën erë marihuane gjatë ndalimit dhe gjetën një armë 9 mm në një kontroll që pasoi në automjet.
Wilder (43-2-1, 42 KO), i cili kohët e fundit ka qenë i lidhur me një meç të mundshëm boksi kundër Anthony Joshuas, më vonë gjatë këtij viti, adresoi arrestimin në një postim në rrjetet sociale të martën.
"Më mirë të jem i sigurt sesa të më vjen keq. Fundi," shkroi ai në Twitter.
I’d rather be safe than sorry. The End 🙏🏿
— Deontay Wilder (@BronzeBomber) May 2, 2023
Me origjinë nga Tuscaloosa, Alabama, Wilder është një ish-medalist i bronztë olimpik. Karriera e tij profesionale njihet më së shumti për një trilogji kundër Tyson Furyt, e cila u zhvillua nga viti 2018 deri në 2021. Përveç Joshuas, ai ka qenë gjithashtu i lidhur me një meç të mundshëm kundër ish-kampionit të peshave të rënda të UFC-së, Francis Ngannou.
