Iniesta: Bëra gjënë e duhur që u largova nga Barcelona
Andres Iniesta ka folur edhe një herë në lidhje me largimin e shumë diskutuar nga Barcelona. Pavarësisht zërave dhe mendimeve që qarkullojnë herë-herë në lidhje me këtë temë, ai këmbënguli që ka qenë vendimi i duhur.
Që prej majit të vitit 2018 Iniesta nuk është më pjesë e Barcelonës. 38-vjeçari vendosi që të ndryshojë tërësisht ambient dhe kontinent, duke u transferuar kështu në Azi, respektivisht te Vissel Kobe në kampionatin japonez.
Në një intervistë dhënë për mediumin “The Athletic” ai e tha me plot bindje që vendimi për t’u larguar nga klubi katalonas ka qenë më i duhuri në atë kohë.
“Transferimi në Japoni ka qenë vendim i drejtë. Duhej ta merrja këtë vendim. Isha i bindur dhe i lumtur që ishte momenti i duhur. Dhe, koha, fatmirësisht, më dha të drejtë. Ishte një vendim i duhur si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë familja”, tha mesfushori spanjoll.

Iniesta ka zhvilluar plot 601 paraqitje me Barcelonën, skuadër me të cilën ka fituar të gjitha trofetë e mundshme. Së bashku me Xavin kanë qenë arkitektët e një mesfushe ëndrrash që kishte kjo skuadër. Gjithashtu ai ka qenë njëri prej kontributdhënësve më të mëdhenj edhe në sukseset e Spanjës. Falë golit të tij kjo skuadër ka fituar Kupën e Botës më 2010, duke mposhtur në finale Holandën me rezultat 1:0.
Ndërkaq me skuadrën e re Vissel Kombe ai ka bërë 110 paraqitje, duke shënuar 21 gola. Kontrata e tanishme vlen deri pas një viti. Akoma nuk është e qartë se çfarë vendimi do ta marrë: nëse do të vazhdojë apo do të pensionohet nga futbolli.
