Gundogan: Jemi në Botëror – nuk mund të pësojmë gola si ai i dyti
Ilkay Gundogan ka deklaruar se është i indinjuar për formën e lehtë që kanë pranuar golat sot ndaj Japonisë, e veçanërisht atë të dytin, që kushtoi me disfatë 2:1.
Pas Arabisë Saudite, Japonia dhuroi befasinë e dytë më të madhe në këtë fillim Botërori, duke gjunjëzuar hiç më pak sesa Gjermaninë, me një përmbysje vërtet të papritur prej 2:1.
Mesfushori me përvojë gjerman, Gundogan, mendon se disa lëshime nuk duhet të përsëritën. Ai ka kritikuar qasjen e kombëtares së tij në këtë ndeshje dhe – me theks të veçantë – golin e fundit që pësuan.
“Ia kemi bërë gjërat shumë të lehta Japonisë. Posaçërisht goli i dytë nuk do duhej të ndodhte. Jemi në Botëror!”, tha ai.
Mesfushori i Manchester Cityt kishte vetëm lëvdata për Manuel Neuer. Ai mendon se portieri gjerman me përvojë e ka shkëputuar ekipin në disa raste që kanë mundur ta vështirësonin akoma më shumë ndeshjen.
“Manuel Neuer na ka shpëtuar disa herë. Kemi pasur disa raste flagrante për të shënuar, por nuk shënuam golin për 2:0. Nuk duhet të na ndodhë”, shtoi ai.

Frika për të marrë përgjegjësi
Gundogan pati kritika edhe për ndërtimin e lojës. Sipas tij faza e ndërtimit të lojës nuk ka nisur në formën e duhur nga mbrojtja.
“Përveç tjerash, nuk e kemi ndërtuar mirë lojën edhe nga mbrapa. Mungonte bindja për ta mbajtur topin në qarkullim dhe për t’u liruar që të pranohej ai. Kështu që, luajtëm me topa të gjatë”, nënvizoi Gundogan.
Sipas këndvështrimit të tij me raste shfaqej edhe përshtypja që disa nga lojtarët ngurronin që të liroheshin për ta pranuar topin.
“Kam pasur ndjesinë që jo të gjithë dëshironin të shërbeheshin me topa. Thjesht, kemi humbur shumë shpesh topa”, përfundoi ai.

Gundogan ishte golashënuesi i vetëm në ndeshje për Gjermaninë. Ai shënoi në minutën e 33-të duke ekzekutuar për mrekulli penalltinë për 1:0.
Kjo ishte deklarata më e fortë që u dha nga kampi gjerman pas kësaj humbje vërtet të rëndë për ta, që ia vështirëson shumë edhe çështjen e kualifikimit në fazën e eliminimit direkt.
Humbja e pësuar sotme ka trazuar shumë ujëra në kombëtaren gjermane. Ndërlikimi i skajshëm për t’u kualifikuar tutje nga faza e grupeve ka shkaktuar një goditje të fortë.
Gjermania për të shpresuar më shumë se do të mund të kalojë tutje duhet doemos t’i fitojë dy ndeshjet e mbetura ndaj Kosta Rikës dhe Spanjës.

Kjo përballje titanësh do të luhet më 27 nëntor, pikërisht këtë fundjavë. Deri të dielën në masë të madhe do të kuptohet se çfarë fati do të ketë Gjermania në këtë Botëror.
Katër herë fituesja e Botërorit rrezikon ta ketë fatin e njëjtë si në edicionin e fundit, kur eliminohej në fazën e grupeve.
Atëbotë njashtu mposhtej nga një kombëtare aziatike, më saktësisht Koreja e Jugut, duke bërë që të eliminohej në një grup, siç ishte ai F, që llogaritej jo shumë i vështirë pasi dy kombëtaret tjera ishin Suedia dhe Meksika.

