Gundogan: Haaland në të ardhmen mund ta fitojë Topin e Artë
Ilkay Gundogan është mjaft i kënaqur me të gjithë potencialin që po dëshmon Erling Haaland me fanellën e Manchester Cityt. Ai parashikon një të ardhme të ndritur për yllin norvegjez edhe sa i përket fitimit të Topit të Artë.
Mesfushori 31-vjeç gjerman, Ilkay Gundogan, ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të klubit të Manchester Cityt, ku ka folur edhe bashkëlojtarit të tij, Erling Haaland, që deri tani ka thyer shumë rekorde me paraqitjet e tij monstruoze.
Përfaqësuesi gjerman është i bindur se sulmuesi norvegjez ka akoma hapësirë përmirësimi dhe se mund ta fitojë Topin e Artë në të ardhmen.
“Vendosmëria që ka besoj që është diçka e veçantë. Për më tepër është shumë i përulur. Jam i sigurt që të gjitha këto elemente kur të bashkohen do të ndikojnë që ai të përmirësohet akoma më shumë. Jo vetëm në këtë sezon, por edhe në vitet tjera dhe do ta bëjë një lojtar të jashtëzakonshëm. Që tani është, por do të përmirësohet dhe mendoj se kjo do t’i rrisë potencialet për të fituar Topin e Artë”, ka thënë ai.
Gundogan i ngazëllyer me cilësitë e Haaland
Nuk ka ndonjë lojtar për momentin që gëzon shifra më stratosferike sesa Erling Haaland. Edhe ata që e kishin marrë me rezerva kalimin e tij në Premierligë, duke thënë se nuk do të ishte e njëjta gjë si Bundesliga, tani po demantohen. Statistikat bazë flasin më së miri: 15 gola të shënuar në 10 dhjetë paraqitje në Premierligë, duke regjistruar edhe 3 asiste. Ndërsa në Ligën e Kampionëve ka shtuar 5 gola në 3 paraqitje.

Ky rendiment duket se nuk e befason më Gundoganin: “Ka kualitete të cilat të gjithë mund t’i vërejnë. Që tani ka shumë cilësi për të treguar dhe me mënyrën e tij të lojës na i sjellë edhe skuadrës tonë ato. E di që është dashur të punojë shumë për të arritur këtu ku është tani.”
Sulmuesi 22-vjeçar u ndal së shënuari goli gjatë fundjavës kundër Liverpoolit, pasi deri në atë ndeshje kishte shënuar rregullisht që prej javës së dytë të kampionatit, duke treguar një nuhatje goli tejet të lartë.
Kundër Liverpooli ai iu afrua golit një herë, por ishte Alisson që u tregua i vëmendshëm, duke shmangur një kërcënim për portën e tij.
Me Haalandin skuadra e Pep Guardiolas ka rritur efikasitetin para portës, gjë për të cilën ishte kritikuar në të kaluarën, ngase krijonte shumë raste për shënim dhe shpërdoronte shumë prej tyre.

