Guardiola thotë se ka mësuar nga finalja e 2021 për ta mposhtur Interin
Pep Guardiola e ka pranuar se mund të ketë gabuar në përzgjedhjen e ekipit kur Manchester City humbi kundër Chelseat në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 2021.
City përballet me Interin të shtunën në finalen e Stambollit në përpjekje për ta kompletuar tripletën.
Mbrojtësi anësor Kyle Walker është në dyshim, për shkak të një telashi me shpinë.
Kundër Chelseat në Porto dy vite më parë, vendimi i Guardiolës për t’i lënë rezervë Joao Cancelon dhe Rodrin, mbrojtësin anësor dhe mesfushorin qendror, dhe për të luajtur me Raheem Sterlingun, i cili e kishte humbur vendin në ekip, shkaktoi habi të madhe.
City humbi 1:0 falë një goli nga Kai Havertz dhe trajneri spanjoll u kritika ashpër për përzgjedhjen e ekipit.
Të martën, ai u pyet nëse kritikat ishin me vend dhe nëse ajo përvojë mund të ndikojë në vendimet që do t’i marrë të shtunën.
“Ishte një plan i lojës siç do të jetë edhe të shtunën e ardhshme. Nëse jua them privatisht arsyen pse e mora atë vendim në atë çast, ju mund të thoni ishte i drejtë por është e thjeshtë: ‘Nëse humb, jam gabim, nëse fitoj, e kam mirë’. Duhet të pranosh atë në këtë punë”, tha Guardiola.
“Ishte një ndeshje e vështirë dhe në shumë aspekte ne ishim më të mirë se ata por humbëm. A do të doja të bëj diçka ndryshe tani? Mbase por nuk ka rëndësi më”, shtoi ai.
Përballja me Interin, i cili përfundoi 18 pikë mbrapa Napolit në Serie A, është paraqitja e dytë në finale të garës kryesore evropiane për kampionin anglez.
“Ne duhet ta pranojmë se nëse duam ta bëjmë një hap definitiv si klub i madh, ne duhet të fitojmë në Evropë – duhet ta fitojmë Ligën e Kampionëve, është diçka që nuk mund ta shmangim”, e pranoi Pep.