Guardiola pas fitores kundër Bayernit: Jemi të dërrmuar
Pep Guardiola druhet se skuadra e tij Manchester City përballet me lodhje të madhe në përpjekjet e saj për të fituar shumë gara, pasi arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
City e mundi Bayern Munichun 4:1 në dy ndeshjet çerekfinale për të kaluar në mesin e katër më të mirëve në garën më prestigjioze evropiane për klube, ku e pret Real Madridi.
Skuadra e Guardiolës është katër pikë mbrapa liderit të Premierligës, Arsenal, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe do të përballet me Sheffield Unitedin në gjysmëfinale të FA Cup të shtunën
Nëse City dëshiron të arrijë në të dy finalet e mëdha për të pasur një mundësi ta fitojë tripletën, atëherë do t’i duhet t’i zhvillojë edhe 13 ndeshje këtë sezon.
“Jemi të dërrmuar”, tha Guardiola të mërkurën pas ndeshjes në Munih.
“Nuk e di se si do ta rimarrim veten për të luajtur kundër Sheffield Unitedit. Jemi në një moment të vështirë për ndeshjen e së shtunës”, theksoi ai.

“Tri vite radhazi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.
City e kishte një epërsi komanduese prej 3:0 nga ndeshja e parë në Etihad, dhe u përballë me një Bayern shumë sulmues në ndeshjen e kthimit, para se Erling Haalandi t’ia ndalte turrin atyre duke shënuar në minutën e 57-të, gjë që veçse e konfirmoi kalimin e kampionit të Anglisë në gjysmëfinale për herë të tretë radhazi.
“Rezultati prej 4:1 nuk e tregon në të vërtetë se çfarë ndodhi në të dy ndeshjet, mendoj unë. Nuk prisja ndryshe nga një skuadër kaq e mirë, fizike dhe me ide. Bayern Munich gjithmonë më ka mahnitur kur jetoja me ta dhe kur luaj kundër tyre”, shtoi ai.
