Giresse e fajëson gjyqtarin për dështimin e madh kundër Andorrës
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, ka fajësuar gjyqtarët e takimit për rezultatin e arritur ndaj Andorrës.
Kosova barazoi 1:1 në Fadil Vokrri, duke bërë kështu që ndeshjet e marsit të përfundojnë pa asnjë fitore në grupin I për kualifikimet Euro 2024.
Sipas Giresses disa vendime të gjyqtarëve nuk ishin në rregull dhe ndikuan në rezultat.
“Mendoj që nuk e kemi gjetur zgjidhjen pavarësisht realizimit të lojës, na mungoi konkretizimi. Pastaj ishin disa vendime të arbitrit që nuk ishte në rregull, ka pasur shumë gjëra që ndikuan që ndeshja të përfundojë me rezultat 1:1”.
Ai shtoi se kishin rastet por nuk arritën t'i konkretizonin ato.
“Ishin të vetëdijshëm që Andorra do të luante shumë prapa, kështu bëri në fakt. Jemi përgatitur për këtë mënyrë të lojës, kemi pasur raste dhe aksione por fatkeqësisht nuk ia dolëm të shënonim”.
Sa i përket dorëheqjes, ai tha se qëllimi i tij është të punojë dhe nuk i intereson se çfarë dëshirojnë njerzit.
“Dorëheqje? Mendoj që është shumë herët se puna është e përfunduar sa i përket kualifikimit. Ka ende ka lojë dhe pikë që mund të fitojmë, prandaj nuk është ende e kryer. Atëherë, qëllimi është që të punoj dhe vazhdoj kështu pastaj nuk është që më intereson ajo çka mendoni ju”.