Gati dyfish më shumë gabime se paragrafë në letrën e FFK-së për gazetarët e Kosovës
Federata e Futbollit e Kosovës u është drejtuar me një letër Komisionit të Pavarur të Mediave, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, duke i kritikuar gazetarët dhe mediat se gjoja po u japin hapësirë “individëve që në asnjë formë nuk kanë asnjë lidhje me futbollin”. Sidoqoftë, letra që është pak më e gjatë se një faqe ka 14 gabime të rënda drejtshkrimore, dukshëm më shumë se numri i paragrafëve. Gazeta “Nacionale” nuk i ka numëruar fare gabimet rreth shenjave të pikësimit.
Së pari, është shkruar gabimisht shumësi i mbiemrit “Sportivë” – “Sportiv”.
Pastaj, në letrën e FFK-së është shkruar “ka përcjellur”, në vend se të shkruhej “ka përcjellë”.
Së treti, është shkruar gabimisht ndajfolja “ligjërisht” – “ligjërishtë”.
Së katërti, është shkruar gabimisht emri “hapësirës” – “hapsirës”.
Së pesti, është shkruar gabimisht ndajfolja “haptas” – “haptasi”.
Së gjashti, është shkruar gabimisht emri “qëllimit” – “qellimit”.
Së shtati, është shkruar gabimisht folja “nuk do të bjerë” – “nuk do të bije”.
Së teti, është shkruar gabimisht shumësi i emrit “zyrat” – “zyret”.
Së nënti, është shkruar gabimisht si një fjalë e vetme lokucioni ndajfoljor “po ashtu” – “poashtu”.
Së dhjeti, është shkruar gabimisht shumësi i emrit “individë” – “individ”.
Së njëmbëdhjeti, është shkruar gabimisht folja “lejohet” – “lëjohët”.
Së dymbëdhjeti, është shkruar gabimisht emri “kërcënimet” – “kërcnimet”.
Së trembëdhjeti, është shkruar gabimisht folja “respektohen” – “respektohën”.
Së katërmbëdhjeti, është shkruar gabimisht folja në vetën e tretë të numrit njëjës, në kohën e ardhme, “(FFK-ja) do të veprojë” – “(FFK-ja) do të veproj”./Nacionale