Galliani: Nuk ia lëshova pozitën time Maldinit te Milani, sepse nuk jam aq bujar - NACIONALE

Galliani: Nuk ia lëshova pozitën time Maldinit te Milani, sepse nuk jam aq bujar

1 javë më parë

nga NACIONALE

Drejtori ekzekutiv i Monzas dhe ai historik i Milanit, Adriano Galliani, gjatë një festivali të sportit që po mbahet në Trento është rrëfyer rreth Paolo Maldinit dhe ofertave që i ka refuzuar atëbotë për të punuar në klub.

Të dytë e kanë shënuar historinë e Milanit, si klubi i dytë më i trofeshëm evropian. Galiani dhe Maldini, njëri si drejtor ekzekutiv, tjetri si ish-lojtar i madh, kanë bërë që të ndryshonte e gjithë historia e klubit.

Megjithatë, për t’u pensionuar nga futbolli, Maldini kaloi disa vite pa u angazhuar asgjëkundi. Për më tepër, vetë ndeshja e fundit lamtumirëse me Milanin kishte krijuar polemika të mëdha, ngase ai ndihej jo i respektuar për atë çfarë kishte dhënë për dekada të tëra.

Pyetjeve se përse Maldini nuk ishte angazhuar në njërin prej dikastereve të klubit pasi u pensionua nga futbolli, u është përgjigjur sot Adriano Galliani, gjatë një festivali sportiv që po mbahet në veri të Italisë.

Refuzimi i të gjitha ofertave nga Maldini

Adriano Galliani ka thyer heshtjen. Ai ka folur rreth Paolo Maldinit dhe mos të qenët pjesë e drejtuesve të klubit gjatë kohës kur Silvio Berlusconi dhe ai si drejtor ekzekutiv – ishin personat më me ndikim te Milani.

“Ia kam ofruar atij të gjitha pozitat për të punuar në klub, në përjashtim të times. Dhe, ai asnjëherë s’ka pranuar. Pozitën time nuk ia kam ofruar, sepse nuk jam aq bujar dhe nuk dëshiroja të largohesha nga Milani”, nënvizoi Galliani.

Drejtori më i trofeshëm në futbollin italian tregoi rreth qasjes që kanë pasur ndaj Maldinit, duke cekur konkretisht edhe ofertat që ia kanë bërë.

“Unë ia pata ofruar menaxhimin e akademisë së klubit. Ndoshta nuk ishte e shkruar të ndodhte në atë moment inkuadrimi i tij. Kështu ka qenë e gjitha”, shpjegoi ai.

Galliani nuk e ka mohuar progresin e bërë të Maldini në pozitën e drejtorit ekzekutiv, duke e lëvduar për të arriturat dhe potencialin që ka treguar.

“Tani po tregon që është një drejtor i madh. E përqafoj pas çdo ndeshje. Kam afekt të sinqertë për të dhe jam i lumtur për atë që po bën”, tha Galliani.

Krejt në fund, Galliani foli fjalë të mëdha për familjen Maldini, qoftë për Paolon, apo edhe për babain e tij, Cesare Maldini. Për të dytë tha që janë vetë Milani dhe vetë historia e klubit, duke ua njohur meritën për kontributin e paçmueshëm që kanë dhënë ndër dekada.

Lajme të ngjashme