Gabon Napoli, pëson humbje në shtëpi nga Lazio
Lazio ka arritur ta fitojë ndeshjen e madhe italiane në kuadër të xhiros së 25-të në Seria A, duke mposhtur Napolin.
Pavarësisht që vendasit dukeshin favorit kryesor, skuadra e Maurizio Sarrit në fund arkëtoi pikët e plota duke triumfuar me rezultat 0:1.
Mysafirët e nisën më mirë duke pasur një mundësi shënimi me anë të Matias Vecinos, por që mbrojtja vendase ku ishte edhe Amir Rrahmani arritën ta devijonin.
Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar me dy skuadrat që provonin ta mbanin posedimin sa më gjatë në krijimin e aksioneve, por assesi t'i finalizonin.
Ishte Vecino që kaloi Lazion në epërsi me një gol të mrekullueshëm nga distanca, që la në gjumë portierin vendas (68').
Napoli tutje kishte disa raste shënimi me Victor Osimhen, që nga gjashtë metra distancë goditi traversën, derisa nga topi i kthyer nuk përfitoi as Di Lorenzo.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani zhvilloi një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme, veçse këtë herë pësuan humbje.
Napoli vazhdon të jetë në kreun e Serie A me 65 pikë të mbledhura pas 25 xhirove, derisa Lazio tani ngrihët në pozitën e dytë me 48 sosh.
Në xhiron e radhës, Napoli do ta zhvillojë një tjetër sfidë të vështirë si nikoqir i Atalantas, kurse Lazio është mysafir i Bolognas.