Fushë Kosova e ndal me barazim nënkampionin Dritën, Gjilani e Llapi shënojnë fitore
Janë zhvilluar tre ndeshjet e para të javës së pestë të Superligës së Kosovës në futboll, aty ku Fushë Kosova ka befasuar duke marrë barazim në ‘shtëpi’ ndaj Dritës 1:1, kështu duke fituar pikën e parë në Superligë, në anën tjetër Llapi e ka mposhtur lehtësisht Feronikelin 74 me rezultat 3:0, ndërsa Gjilani me vështirësi fitoi ndaj Malishevës 1:0.
Fushë Kosova – Drita
Ndeshja mes Fushë Kosovës e Dritës u zhvillua në Lipjan, pasi siç dihet këta të parët kanë pasur problem me pranimin e fushës.
Skuadra e porsapromovuar në Superligë, sot mori pikët e para, pas plotë pesë javësh, edhe atë me barazim ndaj Dritës që ishte nënkampione sezonin që lamë pas.
Takimi filloi më mirë për Intelektualët, të cilët e gjeten golin e epërsisë në minutën e 31-të, kur shënoi Blend Baftiu nga një top i kthyer, edhe me ndihmën e reagimit të ngathët të portierit vendas.
Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale për skuadrën nga Gjilani, ndërsa në të dytën u shënua vetëm një gol.
Ishte Dominik Ivkic që shënoi në minutën e 56-të për ta barazuar rezultatin në 1:1.
Drita deri në fund u mundua ta fitonte ndeshjen, por nuk ia dolën, duke arritur të marrin vetëm një pikë në udhëtim te Fushë Kosova.
Nënkampioni i Kosovës tani ka gjashtë pikë në katër ndeshje, tri barazime dhe një fitore ku renditen në vendin e pestë, ndërsa Fushë Kosova me një pikë të vetme është në fund të tabelës.
Feronikeli 74 – Llapi
Llapi i Tahir Batatinës ka arritur fitore të lehtë në udhëtim te Feronikeli 74, duke fituar 3:0.
Në 45 minutat e para u shënua vetëm një gol. Ishte ai në minutat shtesë nga penalltia kur Muhamet Hyseni shënoi në përsëritjen e penalltisë, pasi paraprakisht Amrush Bujupi në pritjen që bëri në tentimin e parë, kishte lëvizur para kohës.
Në pjesën e dytë, Llapi gjeti golin edhe dy herë. Fillimisht ishte Ergyn Ahmeti që çoi epërsinë në 2:0 në minutën e 49-të, ndërsa për rezultatin përfundimtar shënoi Trimror Selimi në minutën e 67-të.
Llapi me këtë fitore ngjitet përkohësisht në vendin e parë, me 10 pikë të grumbulluara në pesë ndeshje, ndërsa Feronikeli 74 me vetëm tri pikë në vendin e tetë.
Gjilani – Malisheva
Malisheva që ka pasur një fillim shumë të mirë të sezonit, ka pësuar në udhëtim te Gjilani.
Ishte vetëm një gol i shënuar që vendosi për fatin e takimit.
Kushtrim Shabani shënoi për SC Gjilanin në minutën e 55-të për rezultatin 1:0 dhe fitoren e parë të Skifterëve në këtë sezon.
Gjilani tani pas katër ndeshjeve të zhvilluara pozicionohet në vendin e shtatë me katër pikë, ndërsa Malisheva zbret në pozitën e dytë, ku nga pesë ndeshje tri i ka fituar dhe dy i ka humbur.